Vendim për uniformimin e shkallëve dhe panove reklamuese në rrugët “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Luan Haradinaj” dhe “Rexhep Luci”

- 18 Sep 2015

Me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të gjitha shkallët e lokaleve afariste të vendosura në trotuare të cilat gjenden në rrugët “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Luan Haradinaj” dhe “Rexhep Luci” do të jenë njëkrahëshe dhe do të vendosen përgjatë murit të lokalit që i takojnë.

Të dhënat më të detajuara të dizajnit të shkallëve do të përcaktohen nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Krahu i shkallëve do të jetë me gjerësi 110 – 120 cm, me dimensione të shkelëses së paku B-29 cm për nga gjerësia dhe maksimalisht H-17 cm për nga lartësia.

Po ashtu, të gjitha panot reklamuese të vendosura në lokalet afariste që gjenden në rrugët e sipërpërmendura, do të kenë sipërfaqe maksimale 0.75 m2. Panot reklamuese duhet të jenë të vendosura në lartësi deri te konstruksioni mes-katësh, në mes të përdheses dhe katit të parë.

Panot reklamuese të lokaleve afariste që gjenden në katet e mësipërme do të vendosen në hyrje të objektit dhe do të jenë me dimensione 50x30 cm.

Vendimi për uniformimin e shkallëve dhe panove reklamuese në rrugët “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Luan Haradinaj” dhe “Rexhep Luci” vjen si rezultat i ankesave të këmbësorëve si dhe problemeve që janë duke shkaktuar panot reklamuese.

Për zbatimin e këtij vendimi përgjegjëse do të jetë Drejtoria e Inspekcionit.