- 17 Sep 2015
Drejtori i Drejtorisë së Administratës Komunale, Muhedin Nushi priti në takim ambasadoren e Ambasadës së Francës në Kosovë znj. Maryse Daviet, përfaqësuesen e kësaj ambasade znj. Christine JOUVE, si dhe përfaqësuesit e Ambasadës e Republikës Federale të Gjermanisë, znj.Christina Weiss dhe z. Philipp Strasburg.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryeshefi i Agjnecionit të Regjistrimit Civil, Lulëzim Ejupi.
Ky takim u realizua me qëllim të informimit të ambasadave franceze dhe gjermane lidhur me vetëshërbimin digjital (E – Kiosk), i cili ka nxitur interesimin e ambasadave të huaja për implementimin e të njëjtit sistem edhe në shtetet e tyre.
Me këtë rast, drejtori Nushi i njoftoi të pranishmit lidhur me procesin e punës, efikasitetin, sigurinë e informacionit dhe dokumentit me të cilin shërbehen qytetarët. Nushi, njëkohësisht, i njoftoi të pranishmit se më vetëshërbimin digjital janë lehtësuar së tepërmi edhe shërbimet administrative në zyrën e gjendjes civile.
Lidhur me përmirësimin e shërbimeve administrative, përfaqësuesit e Ambasadës së Francës dhe Ambasadës së Gjermanisë thanë se është për çdo lëvdatë avancimi i këtyre shërbimeve në Komunën e Prishtinës.
Vetëshërbimi digjital filloi së funkcionuari në qershor të vitit 2015 përmes së cilit qytetarët do të mund në mënyrë automatike t’i nxjerrin certifikatat, ekstraket dhe shërbime të gjendjes civile.
Vetëshërbim digjital do t’i ketë tre komponentë:
1. E – Kioska (aparati i cili mundëson nxjerrjen e ekstraktit të lindjes për përdorim intern)
2. Mundësia e shtypjes së formularëve nga cilado drejtori e Komunës së Prishtinës
3. Dërgimi i formularëve të plotësuar drejtpërsëdrejti në mënyrë automatike në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.
Komuna e Prishtinës në kuadër të planifikimeve të saj për digjitalizimin e shërbimeve administrative planifikon që në të ardhmen aparatura të tilla të vendos në disa prej pikave më të frekuentuara në kryeqytet.