Prerja e Kurbanit lejohet vetëm në tregun e kafshëve, në Kodrën e Trimave

- 21 Sep 2015

Komuna e Prishtinës, gjegjësisht sektori veterinar-sanitar i Drejtorisë së Inspekcionit, njofton të gjithë qytetarët e Prishtinës të cilët planifikojnë që për festën e Kurban Bajramit të presin kurban, se ky ritual do të lejohet vetëm në tregun e kafshëve, i cili gjendet në Kodrën e Trimave, në dalje të qytetit.
 
Zyrtarët e Drejtorisë së Inspekcionit do të jenë  në teren gjatë datave 21, 22 dhe 23 shtator dhe do të inspektojnë të gjitha tregjet e qytetit. Çfarëdo tentimi që prerja e kurbanit të bëhet në lokacione të tjera, si p.sh. Tregu i Gjelbër, ai i Ulpianës apo vende të tjera, do të pamundësohet dhe do të iniciohet procedura për kundërvajtje.

Tregu i kafshëve është lokacioni i vetëm që i plotëson kushtet minimale për kryerjen e këtij rituali, andaj ftojmë qytetarët që ta respektojnë këtë vendim.