- 29 Sep 2015
Sot, në mbledhjen e VII-të të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, asambleistët e koalicionit LDK-PDK me 24 vota, votuan kundër rendit e ditës dhe kësisoj e bënë të pamundshme shqyrtimin e planeve rregullative, propozim buxhetit për vitin 2016 dhe pikave të tjera të propozuara nga Kryetari, Shpend Ahmeti.
Duke e pasur të pamundur që të procedojë, i tërë ekzekutivi si dhe Grupi i Asambleistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! lëshuan mbledhjen.
Në konferencën e jashtëzakonshme për media pas këtyre zhvillimeve kryetari Ahmeti tha se të gjithë ishin dëshmitarë se as Liburn Aliu e as Drejtoria e Urbanizmit nuk janë kurrfarë arsyetimi, por kemi tentim që të bllokojnë punën e ekzekutivit, posaçërisht në urbanizëm. Mirëpo ai potencoi se këtu nuk po bllokohet aq ekzekutivi, por koalicioni “Sami-Lirak” është interesuar ta bllokojnë qytetarin e Prishtinës, ashtu siç kanë bërë edhe në 15 vitet e fundit. Ai e potencoi se për përfitime personale po ndalohet kalimi i disa pikave tepër të rëndësishme, si për investime të huaja ( qendra e Bankës Raiffeisen ), ashtu edhe për banorët e lagjeve të Prishtinës që kanë mbetur peng i planeve rregullative. “Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi se asgjë nuk ka ndodhur dhe të qëndrojmë në sallë, sepse këto janë pikë kyçe e punës tonë. Ne treguam gatishmëri edhe tash si në të kaluarën që të jemi pjesë e debatit, mirëpo këta janë të interesuar të pësojnë qytetarët”, tha Shpend Ahmeti.
Ndërkaq Nënkryetari, Dardan Sejdiu, tha se koalicioni LDK-PDK e ka motivin e qartë, e ai është degradimi i mëtutjeshëm i qytetit të Prishtinës. “Sot të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me rregullimet, janë sjellur nga Kryetari i Komunës dhe arsyetimi 6 mujor i Lirak Çelajt dhe Sami Hamitit se nuk do t’i pranojnë propozimet nga Liburn Aliu bie në ujë.” Ai sqaroi se dy personat në fjalë janë të interesuar që të mos ketë sukses zhvillimi i Prishtinës, most ë ketë sukses lufta kundër korrupsionit, drejtësia sociale, por të vazhdojnë punët që kanë qenë shënjues të një sistemi komplet të krimnalizuar gjatë qeverisjes së 15 vieteve në Prishtinë.