- 16 Oct 2015
Sot, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi, vizitoi fshatin Hajvali, ku janë ndërtuar dy objekte të rëndësishme për komunitetin atje: Çerdhja për fëmijë “Ngjyrat” dhe objekti i Bashkësisë Lokale. Gjatë kësaj vizite Ahmeti tha se është kënaqësi që së shpejti po hapet edhe çerdhja e dytë me bazë në komunitet. Ai tregoi se kjo çerdhe e ka kapacitetin në mes 50-60 fëmijë. Ai tregoi se çerdhja do të hapet me 26 tetor dhe iu bëri thirrje banorëve të Hajvalisë që t’i regjistrojnë fëmijët.
Ndërkaq, gjatë vizitës së bashkësisë lokale në Hajvali, Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi tha se ky objekt është pilot projekt i GIZ-it gjerman, projekt për efiçencën e energjisë, i cili po implementohet për herë të parë në Komunën e Prishtinës. Ai tha se nëse ky projekt tregohet i susksesshëm atëherë do të implementohet edhe në objekte të tjera, si në ato të bashkësive lokale, por edhe ato të Komunës.