Prezentohet raporti preliminar për rrëshqitjen e dheut në Lagjen Arbëria

- 05 Nov 2015

Sot, Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, së bashku me dy përfaqësues të Institutit Gjeologjik të Kroacisë, drejtorin e këtij instituti  Josip Halamić dhe inxhinierin  Željko Miklin, bënë prezantimin e  raportit preliminar të hulumtimit gjeologjik që ky institut e ka kryer për rrëshqitjet e dheut në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

Duke e pa si problem të vazhdueshëm rrëshqitjen e dheut në Lagjen Arbëria, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar Institutin Gjeologjik të Kroacisë, institut ky prestigjioz e me përvojë mbi 100 vjeçare, për të bërë një hulumtim të mirëfilltë shkencor mbi shkaqet e kësaj dukurie dhe mundësitë e sanimit të saj, tregoi fillimisht Drejtori Hysen Durmishi.

Ekspertët kroatë shpjeguan se matjet të cilat i kanë kryer për tre muaj, gjatë periudhës maj-gusht të këtij viti janë: matjet e fraksioneve minerale të lehta dhe të rënda, madhësinë e grimcave dhe llojin e tyre, parametrat hidrogjeologjikë, matjen e çarjeve të tokës në sipërfaqet ku ka rrëshqitur dheu dhe marrjen e mostrave të dheut nga këto vende, gjë që ka shërbyer për t’u ndërtuar profili gjeologjik i kësaj sipërfaqeje si dhe harta gjeologjike.

Sa i përket objekteve të ndërtuara në lagje, inxhinieri Miklin tha se nuk janë vërejtur të çara në muret e tyre, gjë që le të nënkuptohet se themelet e tyre janë mjaft thellë dhe stabile, mirëpo kjo duhet të verifikohet, gjë që i është rekomanduar autoriteteve komunale.

Pas hulumtimit 3 mujor kjo sipërfaqe i nënshtrohet monitorimit të ashtuquajtur sezonal 1 vjetor, që do të thotë monitorin i sipërfaqes së Lagjes Arbëria gjatë të katër stinëve të vitit. Vetëm pastaj mund të publikohet raporti final.

Disa rekomandime që i janë dhënë Komunës së Prishtinës pas hulumtimit preliminar janë se nuk duhet të lejohet ndërtimi i puseve, kanaleve rrugëve, apo objekteve me rëndësi pa autorizim gjeoteknik. Poashtu nuk duhet të lejohet hedhja e dheut apo e materialeve inerte në këtë pjesë.

Në fund u tha se pas rezultateve finale do të jipen rekomandimet se si duhet të bëhet  rehabilitimi i vendrrëshqitjes në Arbëri dhe cilat parametra duhet të merren parasysh për t’u dhënë leja e ndërtimit në këtë zonë.