- 09 Nov 2015
Sot, Drejtoria e Arsimit e Komuna e Prishtinës, filloi me shpërndarjen e qumështit së bashku me kiflet, si shujtë ditore e kompletuar për nxënësit e shkollave fillore të kryeqytetit, nga klasa e I-rë deri te klasa e V-të.
Drejtuesja e Kabinetit të kryetarit, Fitore Pacolli, së bashku me Drejtoreshën e Arsimit, Arbërie Nagavci simbolikisht e filluan procesin e shpërndarjes së pakove të qumështit në shkollën fillore "Dardania".
Me këtë rast, Fitore Pacolli tha se, edhe një premtim i dhënë i Shpend Ahmetit dhe qeverisjes komunale në Prishtinë u realizua. Ajo shpjegoi se shpenzimet për pagesën e qumështit për nxënësit janë siguruar nga kursimet e buxhetit komunal.
Ndërkaq, Drejtoresha Arbërie Nagavci tha se në kuadër të përpjekjeve të Komunës së Prishtinës për kujdesin ndaj nxënësve dhe për realizimin e barazisë sociale, sot po fillohet me shpërndarjen e qumështit për rreth 20 mijë nxënës, . Ajo tha se synimi është që asnjë fëmijë të mos jetë i uritur dhe rrjedhimisht i pakoncentruar gjatë mësimit dhe kësaj po ja dalim.