Delegacioni i qytetit Namur në Belgjikë, vizitoi Komunën e Prishtinës

- 14 Nov 2015

Sot, në Komunën e Prishtinës, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, së bashku me disa nga drejtorët e kabinetit të tij, priti në takim një delegacion nga qyteti i Namurit në Belgjikë, i cili udhëhiqej nga Kryetari i këtij qyteti, Maxime Prévot.

Të dy kryetarët fillimisht shprehën indinjatën e tyre me ngjarjet e mbrëmshme në Paris, duke shprehur ngushëllimet në emër të të dy qyteteve, ndaj qytetit të Parisit, Francës dhe kombit francez në përgjithësi.

Shpend Ahmeti duke shprehur kënaqësinë e tij që për vizitën e delegacionit të Namurit, tha se me kryetarin Prévot po diskutojnë mbi format dhe fushat e bashkëpunimit në mes të dy qyteteve, duke e pasë parasysh se Namur është edhe kryeqytet i Valonisë, regjionit frankofon të Belgjikës dhe e ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptar që jeton dhe punon aty. Ndër të tjera, Shpend Ahmeti përmendi fushën e administratës, me theks të veçantë në digjitalizimin e shërbimeve, në shëndetësi, kulturë, trashëgimi kulturore, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mundësinë e zhvillimit të disa reformave në mes të dy qyteteve edhe me financim të BE-së, si iniciativë për ndihmë qyteteve të vendeve që pretendojnë të anëtarësohen në BE. Ai i falënderoi edhe tre anëtarët e delegacionit, pjesëtarë të komunitetit shqiptar që jetojnë në Namur, pa iniciativën e të cilëve nuk do të zhvillohej ky takim.

Nga ana e tij Kryetari i Namurit, Maxime Prévot tha se është i lumtur që është në Prishtinë dhe ka mundësi që të lidh marrëdhënie bilaterale me Prishtinën si qytet i ri dhe me perspektivë, nga i cili ka edhe çka të mësohet. Me këtë rast ai përmendi vetëshërbimin digjital të Komunës Prishtinës, nga i cili ishte impresionuar. “Duke e pasë parasysh se shoqëria në përgjithësi i ka tri kërkesa themelore që janë banimi, puna dhe shëndeti, këto janë lëmitë në të cilat edhe do të fokusohemi në bashkëpunimit tonë”, tha Prévot. Nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë të Valonisë, të cilën njëkohësisht e ushtron, Maxime Prévot tregoi se në Namur janë tri spitale, me mjekë dhe standarde cilësore, eksperiencë të cilën do të mund ta ndanin dhe t’i ndihmonin Prishtinës. Duke folur për shkëmbimin kulturor, ai tha se ka bërë ftesë që një ansambël folklorik nga Prishtina të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Namurit që mbahet në qershor.

Gjatë vizitës treditore, ky delegacion do të vizitojë objekte të trashëgimisë kulturore, si dhe do t’i prezantohen reformat arsimore dhe mundësitë e zhvillimit të biznesit.