Nga cilësia e dobët e ushqimit, në ushqim të shëndetshëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve

- 02 Dec 2015

Ushqimi që po iu servohet fëmijëve në kopshtet publike të Prishtinës po përmirësohet vazhdimisht. Fitore Pacolli, drejtuese e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, në konferencën e sotme për media tha se nga janari i vitit 2016 do të aplikohet menyja e re në pregatitjen e ushqimit të fëmijëve në kopshte.

Ajo tregoi se nga vitet 2009 e deri në vitin 2014 Komuna e Prishtinës ja kishte besuar përgatitjen e ushqimit dhe menaxhimin e kuzhinës qendrore një kompanie private (Beni Dona), gjatë së cilës kohë ka pasë degradim edhe të infrastrukturës dhe mjeteve të punës, poashtu edhe degradim në cilësinë e ushqimit, duke iu servuar fëmijëve ushqim të konzervuar, mish të përpunuar, ëmbëlsira të cilësisë së dobët dhe asnjëherë fruta e perime.

"Tani Komuna po e menaxhon vet kuzhinën qendrore dhe me këshillë të nutricistes Mirlinda Bejta është duke e përgatitur një ushqim cilësor, i cili bëhet në ambiente të kontrolluara, çdo ditë servohen fruta dhe perime, drithëra të shëndetshme, mish të bardhë peshku dhe pule, si dhe mish të kuq gjedhi ", tha znj. Pacolli. Sipas saj kjo meny do të rezultojë me konsum adekuat dhe të balancuar të materieve ushqyese, yndyrëra të shëndetshme, dhe proteina dhe karbohidrate të shëndetshme.