“Kompleksi Kodrina”, lagje moderne urbane e të ardhmes së Prishtinës

- 09 Dec 2015

Sot, në konferencë për media, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin e Urbanizmit, Liburn Aliu dhe zyrtaren nga kjo drejtori, Gyler Mydyti, prezantuan “Kompleksin Kodrina”, një ndër projektet më të mëdha urbanistike në rajon, por edhe më gjerë.

Një fjalën e tij, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se Komuna e Prishtinës, përveç që ka ndalë ndërtimet pa leje si dhe ka menaxhuar me mundësitë ekzistuese për zgjidhje urbanistike, po mendon edhe për të ardhmen, për rregullimin urbanistik në dy dekadat e ardhshme e përtej qeverisjes së tanishme. Duke e prezantuar “Kompleksin Kodrina” Kryetari Ahmeti tha se është hera e parë që 125 pronarë tokash, të cilët kanë kërkuar leje ndërtimi, janë bërë bashkë për ta krijuar një sipërfaqe prej 18 hektarësh, me ç’rast ka lindur ideja për këtë kompleks urbanistik, me koeficient ndërtimi të ndryshëm e ku do të përfitojnë edhe pronarët më shumë sesa të ndërtonin individualisht, do të përfitojë Komuna në hapësira publike dhe do të krijohet një lagje moderne urbane ku do të banojnë rreth 10.000 banorë.

Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, në fjalën e tij theksoi problemin e vazhdueshëm që Komuna e Prishtinës e ka, e që është mungesa e hapësirës publike për projektet infrastrukturore dhe publike që duhet të ndërtohen. Komuna gjithmonë është ballafaquar me shpronësime që kushtojnë shumë shtrenjtë. “Me këtë projekt Komuna e Prishtinës në marrëveshje me pronarët do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të gjitha objektet publike dhe infrastrukturën përcjellëse dhe së këndejmi “Kompleksi Kodrina” do të jetë një lagje e kompletuar urbane”, tha Aliu. Më tutje, ai tha se kjo është realizuar në harmoni me planin ekzistues zhvillimor urban. Drejtori Aliu gjithashtu zbardhi faktin se Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga kompania e ndërtimit të shpallë një konkurs ndërkombëtar për planifikimin e kompleksit, ndërsa vet Komuna do të ndihmojë me detyrë projektuese. “Si rezultat i kësaj, në këtë konkurs kanë konkurruar kompanitë projektuese, më me renome në botë”, tha Aliu.

Ndërkaq, Gyler Mydyti tha se një prej kërkesave themelore të Komunës ka qenë dedikimi i një pjese të tokave për infrastrukturë rrugore dhe publike dhe kjo është arritur në marrëveshje me pronarët e tokave, me transfer të koeficientit. “Nga 18 hektarë sa do të jetë e gjithë sipërfaqja e kompleksit, 3 hektarë janë të dedikuar për infrastrukturë rrugore, kurse 4.5 hektarë janë të dedikuar për hapësira publike siç janë parku, shkolla, çerdhja etj”, tha ajo. Mydyti gjithashtu tha se ka mbaruar faza e parë e konkursit ndërkombëtar, me ç’rast janë kualifikuar 7 kompani ndërkombëtare.

Kompleksi Kodrina do të shtrihet në një hapësirë prej 18 hektarësh, në mes rrugëve Muharrem Fejza dhe Enver Maloku në lagjen Mati 1, ndërtimi i të cilit do të zgjasë rreth 10 vjet.