- 18 Dec 2015
Sot u hap çerdhja më e re në Komunën e Prishtinës, në fashtin Besi. Kjo është çerdhja e tretë në Prishtinë këtë vit dhe çerdhja e parë që po hapet jashtë qytetit, por në fshat.
Në ceremoninë e hapjes së saj, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se kjo është çerdhja e tretë me radhë me bazë në komunitet, por ajo çka është edhe më me rëndësi është çerdhja e parë që po hapet në fshat, me çka po përmbushet premtimi se qytetarët do të kenë çasje në shërbime, pavarësisht se në cilën pjesë të Prishtinës jetojnë. Ai shprehi kënaqësinë që tashmë janë regjistruar 20 fëmijë dhe që kjo çerdhe do ti plotësojë nevojat jo veç të Besisë, por edhe të fshatrave për rreth.
Drejtoresha e kësaj çerdheje, Arbenita Basha tha se banorët lokalë kanë treguar interesim të madh për këtë çerdhe, në të cilën për kujdesin e fëmijëve janë punësuar 4 edukatore, një motër infermiere, një gjellbërëse dhe një administratore.
Ndërkaq, Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se është përkushtim i Komunës së Prishtinës që të ofrojë edukim cilësor parashkollor, duke e pasur parasysh se sa i rëndësishëm është ky edukim në formimin e karakterit të njeriut. Ajo potencoi se po planifikohet që edhe në shkollat ekzistuese ku ka hapësirë, të hapen klasët e edukimit parashkollor.