- 18 Dec 2015
Sot, me datën 18 dhjetor 2015 në Ndërmarrjen Publike Banesore u bë prezantimi i performancës së ndërmarrjes për vitin 2015. Hapja e prezantimit u bë nga Kryesuesi i Bordit të Ndërmarrjes, z. Lazër Ndrecaj, i cili bëri krahasimin në mes të politikave menaxhuese nga vitet e kaluara dhe ndryshimet e bëra që nga janari i vitit 2015, kur edhe u emërua ky bord.
Sipas z. Ndrecaj, sfidat me të cilat është përballur ndërmarrja, prej mungesës së transparencës e deri tek shkeljet e shumta në procesin e dhënies së pronave me sistemin e bashkuesve të mjeteve personave me ndikim, ishin prelud i ndryshimeve të bëra në politikat menaxhuese nga bordi i ri.
Z. Ndrecaj tha se ndryshimet e bëra gjatë vitit 2015 janë premtuese dhe sinjalizues i mirë se edhe në vitin 2016 performanca e ndërmarrjes do ta vazhdojë trendin e ngritjes.
Më pas, prezantimin e vazhdoi Kryeshefi Ekzekutiv, Z. Nexhat Kryeziu, i cili po ashtu bëri krahasimin e gjendjes së ndërmarrjes që nga pranimi i detyrës e deri ne fund të këtij viti. Duke përmendur ndryshimet e bëra, Z. Kryeziu theksoi se progresi i arritur deri më tash është një fillim i mbarë për transformimet e mëtejme që pritet të ndodhin në këtë ndërmarrje.
Ai përmendi sukseset e arritura sa i përket ndalimit të keqpërdorimeve me qiradhënie duke theksuar se prej qeverisjes së menaxhmentit të ri, nëse e krahasojmë me vitin 2014, është rritur arkëtimi për rreth 35% apo mbi 210,000 euro, janë liruar pronat e uzurpuara nga qiramarrësit e papërgjegjshëm si dhe tash e tutje çdo pronë e ndërmarrjes që jepet me qira do të bëhet në bazë të "Rregullores për dhënien me qira të pasurisë komerciale të Ndërmarrjes Publike Banesore" që nënkupton shpalljen publike përmes një procesi transparent dhe korrekt.
Z. Kryeziu gjithashtu foli për problemet që kanë hasur me sistemin e drejtësisë në kuadër të kontesteve të ndryshme gjyqësore. Ai tha se në disa raste është krijuar përshtypja se po punohet me standarde të dyfishta pasi që ka dallime të mëdha në kohëzgjatjen e rasteve ku një palë e paditë ndërmarrjen dhe anasjelltas.
Në raport me vitin paraprak, ai tha se ndalja e keqpërdorimit të pronës publike, ndryshimi i strukturës organizative, rritja e transparencës, rritja e faturimit dhe të hyrave, e të tjera, janë disa prej të arriturave të këtij viti.