- 22 Dec 2015
Mbrëmë, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, u mbajt dëgjim publik i përgjithshëm, ku hallet e qytetarëve prezentë përveç drejtorëve, i dëgjoi edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ishte ky përfundimi i rradhës së tretë të dëgjimeve publike të mbajtura nga Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2015, me ç’rast u mbajtën 6 dëgjime publike gjithsejt, në lagje dhe fshatra të Prishtinës.
Problemet më të theksuara të qytetarëve të Prishtinës gjatë këtyre debateve ishin problemet infrastrukturore, urbanistike, ndotja, qentë endacakë, shitësit ambulantë etj.
Si Kryetari Ahmeti, poashtu edhe drejtorët e Komunës së Prishtinës i njoftuan qytetarët me projektet që kanë mbaruar sivjet, siç janë 184 kontrata për punë në infrastrukturë, lëshimi më i madh i lejeve të ndërtimit pas luftës në urbanizëm, ndërtimi i tri çerdheve publike, ristrukturimi dhe fuqizimi i Drejtorisë së Inspeksionit etj.
Duke i adresuar problemet me ndotje të ambientit, qentë endacakë, apo prerje të pyjeve, Kryetari Ahmeti kërkoi nga qytetarët bashkëpunimin e tyre në dhënien e informatave, meqenëse është e pamundur që Komuna t’i dijë të gjitha problemet nëse për ato nuk njoftohet nga vet qytetarët. “Në momentin kur ju na lajmëroni, ne do të veprojmë dhe do ta sanojmë problemin”, tha ai.