Prishtina me 135 kilometra ndërtim rrugësh gjatë vitit 2015

- 22 Dec 2015

Sot, Drejtoria e Infrastrukturës së Komunës së Prishtinës mbajti konferencën e fundvitit për media, me ç'rast shpalosi projektet e kryera gjatë​ vitit 2015.

Drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tregoi para gazetarëve se edhe pse vetëm 49 projekte infrastrukturore kanë qenë të parapara për këtë vit, Drejtoria e Infrastrukturës ka menaxhuar me plot 104 kontrata pune. "Kjo e arsyeton cilësimin se  viti 2015 është  vit i infrastrukturës, që ishte bërë nga Kryetari Shpend Ahmeti në fillim të vitit", tha Durmishi.

Më tutje ai tha se nga këto projekte janë shtruar 135.3 km rrugë, që përkthehet në sipërfaqe prej 446464.33 m2 asfalt. Përveç kësaj, 165624 m2 rrugë janë shtruar me kubëza betoni, 58268.5 m2 trotuare, si dhe 104.29 km kanalizim fekal e 12.42 km kanalizim atmosferik.

"Për të gjitha këto projekte janë shpenzuar gjithsejt 13,330,316.44 euro, që është investimi më i madh i bërë në infrastrukturë në Komunën e Prishtinës që nga pas lufta e këndej", theksoi Hysen Durmishi.

Sa për ilustrim ai e përmendi vitin 2013, i cili edhe pse ka qenë vit elektoral për qeverisjen e kaluar dhe Komuna ka pasë buxhet të njejtë, është shpenzuar vetëm 5 milionë në infrastrukturë.