- 23 Dec 2015
Sot, në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës, u shënua 2 vjetori i qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në Komunën e Prishtinës, në krye me Kryetarin Shpend Ahmeti. Para shumë të ftuarve, për arritjet në punë, përveç kryetarit Ahmeti, folën edhe drejtorët Muhedin Nushi e Liburn Aliu.
Drejtori i Adminstratës Publike në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi tha se për vitin 2015 nga 36 projekte të planifikuara 28 sosh janë realizuar në tërësi, ndërsa 8 prej tyre janë realizuar pjesërisht dhe do të implementohen tërësisht në vitin 2016. Nga shërbimet e implementuara gjatë vitit 2015, Drejtori Nushi përmendi implementimin e aplikimit online për 6 lloje të certifikatave, sistemin e menaxhimit të pritjes, në Drejtoritë e Adminstratës, Shërbimeve Publike, Pronës e Kadastrit, e poashtu edhe sistemin one stop shop dhe orarin e zgjatur të ofiqarisë për palët.Sa i përket kursimit dhe ndalimit të përdorimit të aseteve komunale në shfrytëzim për arsye private e pas orarit të punës, Nushi potencoi se kanë arritur që për 65% të ulin shpenzimin e derivateve për makinat zyrtare të Komunës. Një vend të veçantë Muhedin Nushi ia kushtoi edhe vendosjes së 5 senzorëve për matjen e ndotjes së ajrit në qytet, si dhe E-kioskut, nga i cili veç në 6 mujorin e parë janë marrë 6200 dokumente nga qytetarët.
Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, në fjalën e tij tregoi se Drejtoria të cilën e drejton ka zhvilluar edhe më tutje transparencën në dokumentet zyrtare, të cilat tash më mund të gjinden të publikuara online, në faqet zyrtare të Komunës. Duke folur për vëllimin e punës në këtë drejtori, Aliu këtë vëllim e ilustroi me faktin se në vitin 2012 kjo drejtori ka procesuar vetëm 180 lëndë, deri sa këtë vit janë përfunduar 1216 lëndë. Ai poashtu përmendi faktin se tani është në përdorim edhe sistemi i vrojtimit, i cili ua bën të mundshme palëve që ta vrojtojnë online çdo fazë të procesimit të aplikacionit të tyre. “Në vitin 2015 janë dhënë 152 leje ndërtimi, që është numri më i madh i lejeve të dhëna që nga paslufta në Prishtinë”, bëri të ditur Liburn Aliu. Poashtu ai foli edhe për procesin e legalizimit, në të cilin deri më tash janë regjistruar 46000 ndërtime pa leje dhe janë veçse 4767 lëndë të trajtuara. Në fund Liburn Aliu tha se edhe në vitin e ardhshëm Drejtoria e Urbanizmit do të vazhdojë të vendosë rend dhe rregull, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të orientohen drejtpërdrejtë për mundësitë e ndërtimit në zonën ku aplikojnë, të kenë mundësi të pajisen me të gjitha dokumentet në një sportel, si dhe të hartohen hartat zonale të qytetit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi mori fjalën i falenderoi të gjithë drejtorët së bashku me stafin komunal dhe tha se është e pamundur dhe e padrejtë që ai t’i merr të gjitha meritat për gjithë atë punë të palodhshme të tyre. Ai i përmendi edhe projektet e drejtorive të tjera, si renovimin e të gjitha qendrave familjare të mjekësisë, shtrirjen e 135 kilometrave asfalt, shujtat e kifleve dhe qumështit nër shkollat e Prishtinës, zgjerimin e rrjetit të ndriçimit, puna e palodhshme e inspekcionit, hapja e tregjeve mobile etj. Ai poashtu falenderoi asambleistët, si dhe të gjithë donatorët që i kanë ndihmuar projektet e Komunës së Prishtinës.
Në fund Ahmeti tha se ne po e bëjmë Prishtinën, sepse problemet kanë rrezikuar të ardhmen e qytetit dhe se normaliteti po kthehet.
“Ndalëm ndërtimet pa leje dhe filluam legalizimin, reformuam procesin e lejeve dhe stabilizuam ndërtimet, krijuam hapësira publike dhe po punojmë në mobilitet, po krijojmë lagje të reja me planifikim të mirëfilltë, vazhduam me përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi, administrate e shërbime publike, të gjitha ndërmarrjet publike kanë filluar që të kthehen nga humbjet marramendëse në ndërmarrje fitimprurëse, liruam trotuare, përmirësuam infrastrukturën rrugore, mbi 2000 fidane drunjësh të mbjellura, tërhoqëm investime të huaja”, numëroi disa nga sukseset Shpend Ahmeti.