- 28 Dec 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën e Studentëve, si dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Breg të Diellit.
Në të dy Qendrat Mjekësore ata inspektuan renovimet që janë bërë, ashensorët për pacientë, rampa hidraulike për pacientët me karroca invalidësh, laboratorët kimikë, sistemin dixhital të pritjes etj.
Me këtë rast, Kryetari Ahmeti tha se është shumë i kënaqur që po realizohet edhe një premtim e që janë ashensorët në Qendra të Mjekësisë Familjare. “Kjo është hera e parë që në Qendrën Kryesore kemi ashensor dhe kjo është një lehtësim shumë i madh për pacientët e moshuar”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, Drejtori Arben Vitia falenderoi stafin e të dy Qendrave, të cilët në një punëtori të përbashkët i kanë potencuar problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe pacientët, dhe kërkesat e tyre janë marrë parasysh në përmirësimin e infrastrukturës në Qendra Mjekësore Familjare.
Në vizitë në Qendrën e Studentëve, ata u takuan me drejtorin e Qendrës, Fatmir Sfishta, me ç'rast u diskutua për hapjen e një ambulance në ambientet e kësaj Qendre, ku do të ofroheshin fillimisht shërbimet bazike shëndetësore për studentë. Drejtori i qendrës sqaroi se objekti ekziston dhe ka funksionuar deri në vitin 2007 dhe se Qendra do ta rregullojë objektin e ta sjellë në gjendje pune. Nga ana e tij, Drejtori i Shëndetësisë, Arben Vitia tregoi se në këtë ambulancë që do të fillojë punën vitin e ardhsshëm do të angazhohen 2 mjekë dhe tre infermierë.