- 17 Nov 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti priti sot në takim delegacionin e intelektualeve nga qyteti i Vlorës, të kryesuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ish deputeti Bujar Leskaj.
Pjesë e këtij delegacioni ishin Kryetari i Shoqatës “Ismajl Qemali”, prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Labëria”, prof. Dr. Ago Nezha , Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. Dr. Jorgo Kaçani, drejtori pranë KLSH-së dhe ish Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Gëzim Zilja, piktori Nestor Jonuzi, Kryetari i Shoqatës së Avokatëve në Tiranë, Dr. Fatmir Braka, sociologu prof. Dr. Gëzim Tushi, studiuesi i historisë Enver Memishaj, aktori Mirush Kabashi, anëtari i Këshillit Bashkiak dhe presidenti i Gjimnazit “Perla”, Petrit Golemi, si dhe Inspektori i Përgjithshëm i Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Gani. Delegacionin e shoqëroi Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Qemajl Minxhozi.
Në këtë takim u shpalosen hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë, dhe atë të Hasan Prishtinës në Vlorë.
“E kemi diskutuar një ide që të bëjmë diçka të përbashkët në qytetin e Vlorës dhe në qytetin e Prishtinës. Nga qyteti i Vlorës ka ardhur një nismë që të vendosim shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë, ndërsa ne kemi propozuar që ta dërgojmë shtatoren e Hasan Prishtinës në Vlorë. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Prishtinë, me votë unanime u aprovua në parim kërkesa për vendosjen e shtatores se Ismail Qemalit në Prishtinë. Vendosja e shtatores e ka edhe rëndësinë e dhe simbolikën e vet, e sidomos në këto momente politike kur po bëhen lidhjet në mes të pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar. Kësaj radhe po e ngremë shtatoren duke e simbolizuar rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptareve dhe rolin historik në zhvillimin e kombit shqiptar”, tha Kryetari Ahmeti.
Ai shtoi se para disa muajve, ishte Komuna e Prishtinës e cila pranoi urdhrin më të lartë të shtetit të dhënë nga Presidenti i Republikës, Urdhrin e Flamurit, që iu dha veprimtarit Hasan Prishtina.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, pasi lexoi vendimin e Bashkisë së Vlorës për vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës në qytetin e Vlorës, tha: “Ne kemi vite që jemi përpjekur për këtë gjë, dhe unë falenderoj Kryetarin Shpend Ahmeti për këtë mbështetje që na dha. Vendosja e shtatores së Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të shtetit shqiptar, në Prishtinë, bëhet me mbështetjen financiare të një grupi intelektualësh, qytetaresh dhe biznesmenësh vlonjat. Kemi bërë një përzgjedhje të parë dhe ajo është vepra e skulptorit Luan Mulliqi. Ne jemi të nderuar që këtë vepër të skulptorit Mulliqi ta vendosim në Prishtinë” u shpreh Bujar Leskaj.
Komuna e Prishtinës është e vendosur që të bashkëpunojë në sa më shumë fusha me sa më shumë qytete shqiptare, dhe bashkëpunimet e tilla veç sa do të rriten në vazhdimësi.