Raport nga pjesëmarrja e publikut në identifikimin e problemeve në 5 PRRU në Komunën e Prishtinës

- 27 Jan 2016

Ky raport prezanton rezultatet e një procesi të diskutimit me palë të ndryshme tëinteresit në lidhje me identifikimin e problemeve kyçe në pesë plane rregulluese në Prishtinë. Planet rregulluese të identifikuara nga komuna e Prishtinës gjegjësisht Drejtoria e Urbanizmit Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM)  si më sfiduese gjatë implementimit të tyre janë: Prishtina e Re-Zona Perëndim, Mati 1, Qyteza Pejton, Qendra 1 dhe Tophane. Ky proces ka filluar në Janar 2015 dhe diskutimet me palë të interesit përfunduan në fund të Qershorit 2015. Raporti paraqet punën e përbashkët tëtë gjitha palëve të interesit të përfshira si: DUNMM e Komunës Prishtinës, Grupi Këshillues i Komunitetit (GKK),  Ekipi i Planerëve të projektit “Promovimi i pjesëmarrjes aktive në planifikim hapësinor në nivelin lokal” i implementuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe financuar nga USAID, dhe qytetarët në përgjithësi. Gjatë kësaj kohe janë përfshirë më shumë se 1500 persona gjatë punës në terren dhe punëtori të ndryshme të organizuar më qëllim të identifikimit të këtyre problemeve.
Gjatë këtij 6 mujori janë mbajtur 4 takime me GKK-në, ku bashkërisht është hartuar Plani i Pjesëmarrjes së Publikut (PPP)-annex6, është implementuar një anketë në terren me qëllim të përmbledhjes së një opinioni të përgjithshëm rreth informimit dhe problemeve kryesorë në 5 PRRU rezultatet e të cilit janë prezantuar në Maj 2015. Punëtoritë me palët e interesit janë organizuar gjate muajve Maj dhe Qershor 2015.

Mund të thuhet që ishte një proces dinamik, ku palët e interesit iu përgjigjen me entuziazëm aktiviteteve, takimeve/punëtorive të organizuara për secilën PRRU veç e veç. Vlen të theksohet që ky proces ka patur vëmendjen e mediave, posaçërisht gjatë punëtorive për identifikimin e problemeve kyçe të organizuara për secilën PRRU.

Ky raport ka 4 objektiva kryesore:

•    Prezantimin e problemeve kryesore të cilat janë identifikuar gjatë punëtorive të organizuara me komunitetin e zonës;

•    Prezantimin e sfidave kryesore për implmentimin e PRRU-ve nga ana e autoriteteve komunale;

•    Prezantimin e rezultateve të pyetësorit të implementuar në terren për identifikimin e problemeve nga publiku i gjerë;

•    Të shërbejë si pikënisje për revidimin e PRRU-ve nga ana e komunës si dhe inkorporimin e tyre në hartën zonale të planit zhvillimor komunal të komunës së Prishtinës;

Ky raport dhe i gjithë procesi nuk përbën një konkuldim, po një fillim i cili do të ndihmojë autoritetet komunale në qartësimin dhe konkretizimin e problemeve, si dhe lokalizimin e tyre në terren. E gjithë kjo do të lehtësoje procesin e ballafaqimit me këto sfida , si dhe  do të shërbejë në përmirësimin e komunikimit të autoriteteve komunale me qytetarë.

Raporti përbëhet prej 3 pjesëve:

1.    Përmbledhje e rezultateve të procesit

2.    Rezultatet e punës grupore

-    Rezultatet individuale

-    Prezantimi i problemeve në hartë


Më poshtë mund të shkarkoni komplet raportin në formatin PDF.

 

Raport nga pjesëmarrja e publikut në identifikimin e problemeve në 5 PRRU në Komunën e Prishtinës >>