- 15 Feb 2016
Drejtori i shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr.Arben Vitia bashkë me një pjesë të stafit të Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare, priti në një takim ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu. Me këtë rast Ambasadori u njoftua për punën dhe shërbimet që ofrohen në këtë qendër. Gjithashtu, u diskutua për investimet e fundit, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit shëndetësor.
Ambasadori Braathu, dha një përshkrim të sistemit shëndetësor në Norvegji, ku mbi të gjitha u fokusua në rëndësinë që ka pjesëmarrja e qytetarëve në vendimarrje. Gjithashtu u diskutua për çështje tjera të rëndësishme në kuadër të ngritjes së kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve, si mbledhja adekuate e të dhënave, edukimi dhe promovimi i shëndetit dhe mbi të gjitha transparenca e procesit.
Dr. Vitia dhe Ambasadori Braathu, vizituan pastaj disa pjesë të QKMF-së, ku Ambasadori u njoftua me disa nga investimet e bëra e sidomos me ngritjen e kapaciteteve në shumë shërbime dhe ofrimin e shërbimeve të reja, si rrjedhojë e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve dhe zhvillimeve të tjera si ato të vizitave sistematike në shkollat e Komunës së Prishtinës.
Në fund Ambasadori Braathu, komplimentoi stafin për punën e bërë duke u shprehur shumë i kënaqur me atë që pa dhe shprehi gatishmërinë për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen.