Qeveria po gjen shkaqe të paqëndrueshme për ta arsyetuar bllokimin që po ia bën projektit të autobusëve të Trafikut Urban në Prishtinë

- 22 Feb 2016

Komuna e Prishtinës njofton të gjthë opinionin publik, ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Ahmeti në emisionin “Jeta në Kosovë”, se negociatat me BERZH-in kanë përfunduar në fund të gushtit. Në ato negociata dyditore, Ministria e Financave, Komuna e Prishtinës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë dakorduar dhe kanë nënshkruar kushtet e kredisë.
 
Duke u bazuar në dakordimin me Ministrinë e Financave, BERZH-i ka dërguar kredinë në aprovim në bord më 3 shtator 2015. Po mos të kishte dakordimin e Ministrisë së Financave nuk do ta dërgonin, sepse ky ishte parakusht. Që nga gushti i vitit 2015, Minisitria nuk ka dërguar as edhe një letër, dhe po ashtu nuk ka kërkuar asnjë sqarim nga Komuna.  Kemi dëshmi të emaileve të panumërta nga BERZH-i, duke pyetur se çka po ndodhë.
 
Kur para dy jave në vizitë erdhi një delegacion i lartë i BERZH-it, sa për tu arsyetuar Ministria e Financave ka ftuar Kryetarin e Komunës në takim, ku për çudi ka kërkuar autorizimin, për të cilin ata e kanë ditur se ka ekzistuar qysh në fillim.
 
Për më shumë kanë kërkuar zë të veçantë buxhetor për këstet e kredisë në buxhetin e vitit 2016, edhe pse e dinë që kredia ka periudhë grejs (mospagesë) prej dy viteve, prandaj nuk ka nevojë për asnjë vijë buxhetore shtesë, së paku jo deri në vitin 2018. Po ashtu, është kundër çfarëdo praktike të kredimarrjes ndërkombëtare që pasi të paguhet garancioni (të cilin Komuna po ia paguan Qeverisë), të bëhet edhe një zë buxhetor shtesë garantues.  Në qoftë se ky është rasti atëherë, pse BERZH-i i bën analizat e kompanisë, dhe pse kërkohet garancioni i sovranitetit?!  Për këtë mund të drejtoheni edhe te secili institucion ndërkombëtar dhe do ta kuptoni.
 
Kërkesa për tarifat është e negociuar me BERZH-in dhe është parakusht për kredinë.  Këtë negociim e ka nënshkruar edhe Ministria e Financave.  Prandaj kjo kërkesë shtesë është njëjtë për të arsyetuar mosveprimin e Qeverisë që 5 muaj, për ta bllokuar projektin e autobusëve.
 
Letrën të cilën e ka dërguar Ministri Hoti e ka bërë disa ditë para se të udhëtojë me Kryeministrin Mustafa në Londër në takimet e BERZH-it, sepse e dinë që atje do të pyeten nga vetë BERZH-i.  Përgjigjen në letër e kanë marrë të nesermen e ditës në të cilën e kanë dërguar.