Aksioni për implementimin e rregullave të transportit rrugor

- 17 Nov 2014

Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës ndërmori sot aksion për implementimin e Ligjit për transportin rrugor, respektivisht largimin e kombi-busëve ilegalë nga rrugët magjistrale dhe rajonale.
Kontrolle për këtë qëllim u bënë në hyrje të Prishtinës në lagjen “Kodra e Trimave”, si dhe në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla me këtë rast tha se aksione të tilla do të shpeshtohen gjatë ditëve në vijim dhe nuk do të ndalen nderi në zbatimin e tërësishëm të ligjit.

“Sot, që më mëngjes jemi në aksion për ndalimin dhe parandalimin e operimit të taksive ilegale, qofshin ato kombi-buse apo vetura private. Përpos vendndalimeve në hyrje-daljet e Prishtinës, kemi edhe dy ekipe mobile tek Gjykata e Qarkut dhe në lagjen “Dardania”, me tendencën që të mbulojmë të gjithë territorin e Komunës së Prishtinës. Këto inspektime organizohen me qëllim të ndaljes një herë e përgjithmonë të operimit të taksistëve ilegal, në përputhje me ligjet në fuqi, me qëllim që t’iu ofrohet mundësia transportuesve legal që të zhvillohen edhe më tutje”, tha Sveçla.

Me këtë rast qytetarëve iu bë thirrje që mos t’i shfrytëzojnë për udhëtim transportuesit ilegal pasi që aksione të tilla do të vazhdojnë çdo ditë me qëllim të zbatimit të ligjit që përfundimisht ta ndalojë transportin ilegale.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës thanë se do të analizohen nevojat e orare, si dhe do të ndërmerren masa për lejimin e linjave të reja aty ku ka nevojë, por se nuk do të tolerohet transporti ilegal.

Inspektorët e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës u zotuan se aksione të tilla do të ndërmerren çdo ditë.