- 18 Nov 2014
Komuna e Prishtinës ashtu edhe siç ka paralajmëruar ka filluar raundin e ri të diskutimeve publike. Në diskutimin e 36-të publik që realizohet brenda vitit 2014, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se përmes këtyre diskutimeve synohet që qytetari të jetë sa më aktiv dhe bashkëveprues për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Në takim qenë të pranishëm edhe Nënkryetari Dardan Sejdiu dhe Drejtorët e Komunës. Para tyre, qytetarët shprehën brengat e tyre për çështje të lagjeve ku banojnë. Gjatë këtij diskutimi pati edhe ballafaqim të argumenteve me qytetarë që pretendonin se kanë të drejtë të ndërtimit në zona ku nuk lejohet me Plan Zhvillimor Urban.
“Pavarësisht se ka shumë probleme për t’u zgjidhur, kjo nuk do të thotë se ne nuk i marrim parasysh edhe ato që do të zgjidhen në faza të mëvonshme. Është e rëndësishme që gjatë tërë kohës të diskutojmë për të gjitha problemet që i keni në lagjet e juaja apo edhe me shërbimet të cilat i ofron Komuna. Në disa indikatorë qëndrojmë mirë, në disa të tjerë duhet të veprojmë edhe më shumë sepse gjithmonë dalin çështje të cilat janë të rëndësishme për qytetarin, por ideja është që ta rrisim standardin vazhdimisht”, - tha Ahmeti në fillim të këtij takimi.
Kryetari Ahmeti i njoftoi të pranishmit edhe për procesin e legalizimit që fillon në 2015 dhe aplikimet. “Qytetarët këtë mund ta bëjnë deri me datë 5 shkurt të vitit 2015 duke u paraqitur në Drejtorinë e Urbanizmit, ndërsa më pas është një periudhë një vjeçare e aplikimit për legalizim. Prej muajit mars të vitit 2016 legalizohen për një periudhë një vjeçare të gjitha ndërtimet që janë në përputhje me planin rregullativ”, tha me këtë rast Ahmeti.
Njëkohësisht qytetarët u shprehën të kënaqur me vendosjen e shtyllave antiparking në trotuare, ngritjen e barrierave në rrugë, si dhe kërkuan zgjidhje të ngjashme sidomos në afërsi të institucioneve shkollore, me qëllim të ngritjes së sigurisë.
Po ashtu, të pranishmit shprehën shqetësimin për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta të banimit. Kryetari Ahmeti u shpreh se sa i përket mirëmbajtjes së këtyre hapësirave , në fund të vitit 2013 ka hyrë në fuqi ligji për banimin e përbashkët, përmes të cilit rregullohen shumë çështje në ndërtesat ku ka shumë pronarë. Njëkohësisht, Ahmeti u shpreh se nuk pajtohet me një ligj të tillë, pasi që Komunës i janë marrë kompetencat për çështje që janë të rëndësishme, siç janë problemet e shpeshta me gypat e ujit në lagje të ndryshme. Por, ai u zotua se do të angazhohet që bashkërisht me Ndërmarrjen Publike Banesore dhe përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike, t’iu përgjigjet sa më shumë kërkesave të qytetarëve.
Me këtë rast, Drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi, njoftoi se janë duke u analizuar të gjitha rrugët dhe në kuadër të planeve të drejtorisë planifikohet që në afërsi të shkollave të vendosen edhe radarë që do ta matnin shpejtësinë me të cilat lëvizin automjetet. Në brengën e banorëve për problemin me qentë endacak, Drejtori Gashi njoftoi të pranishmit se deri më tani janë trajtuar në mënyrë humane mbi 1700 qen endacak, të cilët sipas ligjit, pas trajtimit duhet të lëshohen në vendin ku janë kapur.
Në këtë diskutim publik qytetarët e pranishëm patën rastin të informohen edhe për plane të ndryshme të Komunës së Prishtinës, si dhe kërkuan nga ajo që të bëjë presion në institucionet edhe për çështje që nuk ndërlidhen direkt me kompetencat komunale, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve të kryeqytetit.
Diskutimi i ardhshëm publik do të mbahet nesër, e mërkure 19 nëntor 2014, në lagjen "Kalabria" Shkolla “8 marsi”- Emshir ku të pranishëm do të jenë, Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi.