Delegacioni i Komunës së Prishtinës me në krye Kryetarin e Komunës Shpend Ahmeti vizituan sot Tiranën

- 15 Mar 2016

Një delegacion i Komunës së Prishtinës me në krye Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, e ku bënin pjesë edhe asambleistë të Kuvendit Komunal, vizitoi sot Tiranën dhe u prit nga Këshilli Bashkiak dhe vet Kryetari i Bashkisë, Erion Velijaj.

Gjatë takimit miqësor, të dy kryetarët potencuan se Tirana dhe Prishtina kanë shumë çka të shkëmbejnë, si fazë e re e zhvillimit të marrëdhënieve midis të dy kryeqyteteve.

Kryetari Ahmeti, tha se sot kemi ardhur me një delegacion më të gjerë, me idenë se komunat nuk janë vetëm të kryetarëve dhe bashkëpunimi nuk duhet të bëhet vetëm mes kryetarëve. Ai tha se pas vizitave formale që janë realizuar deri tani, është koha që të fillojmë me hapa konkretë për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Kryetari Ahmeti njoftoi Kryebashkiakun e Tiranës edhe për reformat që janë duke u bërë në Prishtinë, si ajo në trafikun urban, gjelbërim, parqe etj. Në fund ai tha se Kuvendet Komunale duhet të diskutojnë se si të na mbikëqyrin më mire neve, dhe rrjedhimisht ta bëjmë punën më cilësore.

Nga ana e tij, Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, me këtë rast tha se tani kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit mes Prishtinës dhe Tiranës dhe të një bashkëpunimi konkret. Ai potencoi se sot u bisedua se si do të formohet rrjeti i kryetarëve të komunave të bashkive shqiptare në rajon. Në fund tha se i gëzohet suksesit të Shpendit në Prishtinë, dhe sheh me optimizëm se si po shkon Prishtina në drejtimin e duhur. Ai përgëzoi Ahmetin për ndryshimet pozitive dhe falënderoi delegacionin e Kuvendit për vizitën.