- 24 Mar 2016
Komuna e Prishtinës hedh poshtë çdo akuzë dhe insinuatë se po lejon keqpërdorimin e shkollave apo të nxënësve për interesa partiake.
Duam ta sqarojmë opinionin publik se Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka dhënë leje për shfrytëzim të hapësirës në Shkollën “Faik Konica” për tubim publik, në kërkesën e dërguar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Në këtë kontekst duam të theksojmë se shkollat si objekte shfrytëzohen për debate publike qoftë nga institucionet, qoftë nga subjektet politike, apo edhe nga subjekte të tjera, pa e penguar procesin mësimor, pra pas përfundimit të tij.
Për më tepër, ky tubim nuk është mbajtur me nxënësit e shkollës “Faik Konica”, por me nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit, të cilëve nuk iu është imponuar tubimi në shkollat e tyre gjatë procesit mësimor, por ata me vullnet të tyre kanë mund të zgjedhin se a do të marrin pjesë në tubim apo jo. Prandaj as që bëhet fjalë për shkelje të ligjit.
Dhe në fund, nxënësit e shkollave të mesme i përkasin grupmoshës nga 16-18 vjeç, moshë kjo për të cilën me Kushtetutën e Kosovës lejohet nxjerrja e dokumenteve personale të identifikimit dhe të udhëtimit, dhe lejohet anëtarësimi në subjekte politike, së këndejmi edhe pjesëmarrja në debate publike, qofshin ato edhe politike.