- 28 Mar 2016
Sot pjesëtarët e këshillit të lagjeve “Sofali” dhe “Taukbahqe” sikur edhe vitin e kaluar, organizuan aksion për dhurim të gjakut.
Ky aksion u mbështetet nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës, ndërsa u organizua që në mënyrë simbolike të kujtohen viktimat e këtyre lagjeve që humbën jetën me 28 mars të vitit 1999 si pasojë e gjenocidit serb mbi popullatën e pambrojtur, si dhe të 74 veprimtarëve të çështjes kombëtare që u pushkatuan me 28 mars të vitit 1944.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës Arben Vitia tha se është viti i dytë që banorët e kësaj lagje marrin iniciativë për dhurim të gjakut, në kujtim të masakrës së 28 marsit të viti 1999. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak duke potencuar se dhurimi i gjakut ka rëndësi jetike.
Ndërkaq, Enver Redenica, koordinator i lagjes “Sofalia” dhe iniciator i këtij aksioni tha se tanimë ky aksion do të bëhet tradicional derisa shtoi se duke dhuruar gjak për ata që kanë nevojë kujtojmë ata që më nuk janë.