Komuna e Prishtinës dënon sulmin ndaj zyrtarit të Shërbimit për Mbrojtjen e Pyjeve

- 08 Apr 2016

Sot në mëngjes rreth orës 9:00, në pyjet afër fshatit Rimanishtë, inspektorët e Agjensionit të Pyjeve kanë evindetuar prerje të paligjshme të pyllit nga tre persona dhe me atë rast kanë kërkuar që Shërbimi për Mbrojtjen e Pyjeve në kuadër të Komunës së Prishtinës ta evidentojë rastin dhe të inicojë procedurë për të. Këtë edhe e ka bërë zyrtari i Shërbimit për Mbrojtjen e Pyjeve, Musli Halimi, por me këtë rast është kërcënuar nga shkelësit se do t'i hakmirren nëse nis procedurë kundër tyre.

Rreth orës 16:00, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, zyrtari Halimi është sulmuar nga një grup personash, me ç'rast i është demoluar makina, derisa ky vet ka shpëtuar falë zhdërvjelltësisë së tij.

Komuna e Prishtinës është e indinjuar dhe thellë e shqetësuar me këtë rast. Ne  kërkojmë nga organet e rendit që të ndërmarrin masa dhe sulmuesit t'i sjellin para drejtësisë.