Kryetari Ahmeti merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës për promovimin e dialogut ndërmjet komuniteteve

- 13 Apr 2016

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti morri pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës për promovimin e dialogut ndërmjet komuniteteve në regjionin e Prishtinës, organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, misioni në Kosovë (OSBE), ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të komuniteteve, zyrtarë komunal, përfaqësues të organizatave joqeveritare si dhe të rinj nga komunitet e ndryshme.

Kryetari Ahmeti e konsideroi këtë iniciativë si të rëndësishme dhe tha se është detyrë e secilit që në komunën e vet të stimulojë sa më shumë aktivitete të përbashkëta dhe po ashtu zgjidhjen e problemeve. Ai tregoi se i ka bërë ftesë disa here komunave tjera që në tregun e prodhimeve vendore të ketë shitës nga të gjitha komunat, e veçanërisht fermerët e Graçanicës të kenë mundësi të shesin në tregun e Prishtinës, sepse integrimi i vërtetë i komuniteteve ndodh kur ka interes të përbashkët.

Sipas tij, nuk mjafton toleranca mes komuniteteve, por duhet të ketë pranueshmëri, respekt të dyanshëm, jo diskriminim, e as privilegjeve të njëanshme por barazi qytetare dhe funksionim të përbashkët. Në fund, ai u zotua në emër të Komunës së Prishtinës për të bashkëpunuar me të gjitha komunat e tjera në mënyrë  që të përmisohet funksionimi ndërmjet komuniteteve në regjionin e Prishtinës.