Banorët e Emshirit bien në ujdi me Komunën që t'i jipet leja KEDS-it për zgjerimin e rrjetit

- 14 Apr 2016

Dje, në ambientet e shkollës "7 Marsi", Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi mbajti një takim me banorët e lagjes Emshir/ Kalabria, për ta diskutuar investimin e KEDS-it në këtë lagje.

Ditë më parë Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike, KEDS, ka kërkuar leje nga Komuna që të shtrijë rrjetin nëntokësor e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë këtë lagje.

Komuna e Prishtinës, gjegjësisht, Drejtoria e Investimeve Kapitale ka vendosur që këtë gjë ta diskutojë me banorë, sepse janë ata të cilët do të përballen me punime në rrugë deri sa këto investime të kryhen.

Banorët njëzëri pranuan që KEDS-it ti jipet leja, porse kërkuan nga Drejtori Durmishi që të garantojë që gropat e hapura në rrugë do të mbyllen dhe rrugët do të kthehen në gjendjen e mëparshme, gjë që ai e bëri.

Vlen të theksohet se i tërë investimi kap vlerën prej 600 mijë eurosh dhe si i tillë do të garantojë furnizim shumë më cilësor me energji elektrike.