- 20 Nov 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, realizoi sot një diskutim publik me komunitetin ashkali që jeton në lagjen “Kodra e Trimave”
Gjatë këtij takimi, ky komunitet shprehu brengat dhe problemet që i shoqërojnë në jetën e përditshme. Sipas tyre, kjo ishte hera e parë që ata i viziton dikush nga Komuna e Prishtinës, jashtë kohës së fushatës.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se ai i mbetet i përkushtuar për barazi në kryeqytet i cili do të vlejë për çdo lagje dhe çdo komunitet.
Ejup Shabani, përfaqësues i komunitetit ashkali në lagjen “Kodra e Trimave”, falënderoi Kryetarin Ahmeti për prezencën e tij dhe u shpreh se për herë të parë ky komunitet vizitohet nga një Kryetar Komune me qëllim që të njihet për së afërmi me problemet e tyre.
Ata u shprehen se shqetësim kryesor mbetet problemi i papunësisë. Shumica e banorëve të kësaj lagjeje, e cila numëron 70 shtëpi të komunitetit ashkali, ekzistencën përpiqen të sigurojnë duke mbledhur kanoçe.
Shumë prej të pranishmëve kërkuan që t’u krijohen mundësi për punësim, ndërsa u ankuan se mjetet që i marrin nga ndihma sociale nuk iu ndihmon të sigurojnë as kushtet elementare.
Ata u shprehën mirënjohës për projektin e shujtave për ciklet e ulëta mësimore, pasi siç thanë, shpeshherë nuk kanë pasur mundësi fëmijëve të tyre tua sigurojnë ushqimin.
Kryetari Ahmeti gjatë bashkëbisedimit me ta, i nxitit që të jenë më ambicioz në kërkesat e tyre. Ai u zotua se do të jetë në shërbim të këtij komuniteti, si dhe kërkoi nga ta që ta informojnë për çdo kërkesë dhe shërbim që atyre iu ofrohet nga Komuna e Prishtinës.