Nga takimi në Lagjen "Kalabri"

- 20 Nov 2014

Përveç përfundimit të rrethrrotullimit në “Veternik”, tashmë ka nisur ndërtimi i rrugës që iu krijon qasje banorëve të lagjes Kalabria në këtë rrethrrotullim

Po ashtu, së shpejti do të fillojë ndërtimi i kolektorit në Kalabri, i cili do të zgjidh problemet me kanalizimin, gjë që mbetet një prej shqetësimeve kryesore të banorëve të kësaj ane. Kështu u tha në diskutimin publik me banorët e lagjes Kalabria, ku të pranishëm për t’ju përgjigjur ankesave të qytetarëve ishin, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe drejtori i Drejtorisë së Inspesionit, Xhelal Sveçla.
Tashmë ka filluar shtrimi i rrugëve me kubëza, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i banorëve në këtë anë, masë kjo e përkohshme deri në revidimin e planit si dhe përfundimit të matjeve gjeodezike, pasi që deri më tani nuk është analizuar gjendja reale në terren.
Kryetari Ahmeti i njoftoi qytetarët se shumë projekte janë të detyruar t’i prolongojnë përkohësisht shkaku i kontesteve pronësore, siç është edhe rasti i ndërtimit të shkollës. Mirëpo, ai iu tha të pranishmëve se investimet në këtë pjesë të kryeqytetit do të jenë më të mëdha shkaku se edhe problemit janë më të mëdha.
Ahmeti iu rikujtoi pjesëmarrësve në këtë diskutim se çdo ndërtim pa leje në lagjen Kalabria do të duhet të regjistrohet deri më datë 5 shkurt të vitit 2015, pasi që ligji e parasheh rrënimin me automatizëm të çdo shtëpie e cila nuk do të jetë e evidentuar deri me këtë datë. Ai, njëkohësisht, i informoi të pranishmit se shtëpitë që janë më të vogla se 100 m katrorë do të jenë të liruara nga pagesa e legalizimit dhe në vitin 2017 do të këtë vetëm ndërtesa legale ose të atilla që do të rrënohen. Ahmeti nuk përjashtoi mundësinë e rrënimit edhe të objekte që konsiderohet të rrezikshme për qytetarët, siç janë ndërtesat që nuk parashohin hapësirën e kalimit të zjarrfikësve, autoambulancave, etj.
Legalizimi i “Banesave të Arabëve”, ngrohja dhe ndriçimi i rrugëve që ndodhen në këtë pjesë të lagjes, ishin disa prej shqetësimeve të banorëve të kësaj lagjeje. Kryetari Ahmeti i njoftoi ata edhe për çështjen e ngrohjes, si dhe tha se në të ardhmen parashihet faza e tretë e projektit, respektivisht zgjerimi i rrjetit të ngrohjes që do ta përfshijë edhe këtë pjesë të qytetit. Ai foli edhe për riorganizimin e stacionit të autobusëve dhe se është duke u synuar krijimi qendrës së trafikut urban.
Ndërsa, pasi që ankesat e të pranishmëve kryesisht ndërlidheshin me probleme infrastrukturore, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, i njoftoi të pranishmit lidhur me projektet e kësaj drejtorie. Sipas tij, nuk do të ketë rrugë që nuk do të shtrohet në lagjen Kalabria dhe se vitin e ardhshëm do të fillojnë edhe procedurat e shpronësimit për rrugë që nuk kanë qenë të projektuara më parë. Mirëpo, sipas tij, e rëndësishme mbetet zgjidhja e problemit me kanalizime në këtë pjesë të kryeqytetit.
Lidhur me kyçjen në rrethrrotullimin në Veternik, drejtori Durmishi i njoftoi se ky projekt ka pasur mangësi të shumta që në projektim. Ai i njoftoi se së shpejti, pas funksionalizimit të ndriçimit, do të mbulohen nënkalimet si dhe do të jepen me koncesion shkaku i mirëmbajtjen. Njëkohësisht, paralajmëroi se është duke u shqyrtuar mundësia e ndërtimit të një rruge që do të shërbente për raste emergjente në rrethrrotullim.
Ata u ankuan për problemet infrastrukturore, për problemet me mbeturinat inerte si dhe mungesën e trotuareve nëpër rrugë, ndërsa përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës i njoftuan ata se duhet të organizohet komuniteti që bashkërisht me komunën të zgjidhin çështjen e trotuareve, ndërsa si zgjidhje e shpejtë e mundshme u përmend mundësia që banorët të ofrojnë një pjesë të vogël të pronës së tyre, në mënyrë që Komunës së Prishtinës t’i ofrohet mundësia që të investojë sa më shpejtë, shkaku se sipas tyre, procedurat e shpronësimit janë të papërballueshme për buxhetin e komunës.
Njëkohësisht, këshilli i prindërve të shkollës “7 marsi” që ndodhet në lagjen Emshir shprehën brengën e tyre për nyje sanitare në këtë shkollë, problemeve me dritare, si dhe për sallën e sportit. Me këtë rast kryetari Ahmeti u zotua se së shpejti do t’i ndërmerr të gjitha masat dhe do të bëhet evidentimi i gjendjes së shkollës.
Sa i përket problemit me autobusët që ndalen tek rrethrrotullimi, kryetari Ahmeti tha se që tani e tutje inspektorati i Komunës do të del në këtë pjesë dhe do t’i ndërmerr masat ligjore ndaj autobusëve që ndalojnë në këtë pjesë të qytetit.
Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, tha se tashmë është nënshkruar kontrata për largimin e 117 deponive me mbeturina inerte dhe se do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që në të ardhmen do të hedhin mbeturina. Po ashtu, banorët e lagjes Kalabria e informuan drejtorin Sveçla edhe lidhur me një mur të paligjshëm, të ndërtuar në një pjesë të kësaj lagjeje, i cili paraqet edhe rrezik për banorët. Sveçla u zotua se menjëherë do të ndërmerret aksion për rrënimin e këtij muri, nëse është në kundërshtim me ligjin.