- 25 May 2016
Një delegacion i Komunës së Prishtinës në krye me Kryetarin, Shpend Ahmeti, gjindet në vizitë në Komunën e Ulqinit. Ata u pritën në takim nga Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast të dy kryetarët kanë biseduar për një sërë çështjesh dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy komunave, sidomos në fushën e urbanizmit. Kryetari Cungu ishte specifikisht i interesuar për procesin e legalizimit, me ç’rast u dakorduan që një ekip i Sekretariatit për Urbanizëm nga Komuna e Ulqinit ta vizitojë Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe të njoftohet për së afërmi me rrjedhat e këtij procesi.
Kryetari, Shpend Ahmeti, tha se përveç lidhjeve kulturore, kombëtare, shoqërore e familjare, që tashmë ekzistojnë, të dy komunat po krijojnë edhe bashkëpunim institucional në mes veti. Ai foli në veçanti edhe për bashkëpunimin ekonomik, me ç’rast u fol për pjesëmarrjen e prodhuesve dhe afaristëve ulqinak në panaire në Prishtinë, promovimin e turizmit, si dhe promovimin e produkteve dhe prodhuesve kosovarë në tregun malazias në përgjithësi, por edhe në Ulqin në veçanti e sidomos gjatë sezonës turistike.