- 21 Nov 2014
Fjala e Kryetarit Shpend Ahmetit në vendosjen e gurthemelit të punimeve për Fabrikën e përpunimit të ujit në Shkabaj
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të nderuar qytetare e të ftuar. Natyrisht se ky është një nga projektet më të rëndësishëm jo vetëm për Komunën tonë, por për regjionin e Prishtinës. Prandaj së pari, dua që në emër të Komunës dhe në emër të qytetarëve të Prishtinës t'i falenderoj të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë projekt i cili është bërë me bashkëpunimin dhe financimin e Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe me bashkëfinancimin e Komunës së Prishtinës. Me këtë projekt do të mund ta zgjidhim një prej pjesëve të problemeve që i kemi në Komunat tona e posaçërisht në Komunën e Prishtinës duke ditur se përbëjmë rreth shtatëdhjetë për qind të konsumatorëve të Ujësjellësit regjional "Prishtina".
Mirëpo e kam thënë edhe më herët dhe po e them edhe tani që ka ende shumë punë për t'u bërë. Ky është një hap, por rruga është e gjatë dhe e mundimshme. Siç u tha edhe në fillim, nuk ka pasur fabrikë pothuajse qe 15 vite dhe është për t'u brengosur. Duke shpresuar që nuk do të jetë kështu në të ardhmen, pra që uji të mos jetë prioriteti i të gjitha institucioneve, atyre qendrore e lokale duke ditur se nuk ka çështje për të cilën ka më shumë ankesa sesa furnizimi me ujë në Komunën e Prishtinës.
Shumica e qytetarëve të Prishtinës vazhdojnë të kenë reduktime të ujit. Prandaj ne nuk do të ndalemi këtu do të vazhdojmë të insistojmë tek Qeveria e Republikës së Kosovës, tek partnerët tanë ndërkombëtarë që uji të jetë prioriteti kryesor sepse furnizimi me ujë është prioriteti kryesor për qytetarët e Republikës dhe të regjionit të Prishtinës.
Kur e kam pyetur Drejtorin teknik të ujësjellësit se kur ka filluar ky projekt, më është përgjigjur se ideja për këtë projekt daton më shumë se para dhjetë viteve. Shpresoj të mos kalojnë edhe dhjetë vite sa i përket prioriteteve tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me humbjet në rrjet dhe me furnizimet që duhet t'i kemi. Mos të vijmë në një situatë sikurse në prillin e sivjetëm kur filluam të lutemi për të reshura. Besoj se do t'i marrim masat e duhura që ky mos të mbetet projekti i vetëm.
Shfrytëzoj rastin edhe njëherë ta falenderoj KfW-në, Qeverinë gjermane, Komisionin Evropian por edhe financimin nga institucionet tona qendrore dhe lokale dhe shpresoj që do të investojmë sa më shumë në ujë.
Ju falemnderit!
(Video) http://youtu.be/G5rYnMiZgSw?list=UUmLzBIWh5b2RcnwtNwT1mdA