- 31 May 2016
Gjatë muajve të fundit Komuna e Prishtinës ka intensifikuar diskutimet me përfaqësuesit e Republikes së Shqipërisë në lidhje me ndërtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Edhe pse ka patur një vendim të Kuvendit nga viti 2015, pas diskutimeve me arkitektë është vlerësuar se ajo pjesë nuk i përmbush nevojat e Ambasadës. Për shkak të natyrës së marrëdhënieve në mes të Republikes së Kosovës dhe asaj së Shqipërisë, është kërkuar që lokacioni të jetë në qender të qytetit, njëjtë siç ka vepruar edhe Republika e Shqipërisë me Ambasadën e Republikës së Kosovës.
Pas shumë diskutimeve të përbashkëta është identifikuar lokacioni në rrugën "Fehmi Agani", në lokacionin ku gjindet lulishtja e ndërmarrjes "Hortikultura",lagjen Lakrishta (afër banesave të aeroportit, apo përballë kafeve të vogla) si lokacioni më i përshtatshëm për këtë projekt, që do të përfshinte edhe një park me eksponate nga të gjitha trevat shqiptare.
Që nga ajo kohë, dhe në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga kryesuesi të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme për këtë çështje si pikë të vetme për të shënuar rëndësinë e saj, dhe për ti paraprirë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive me 3 qershor 2016.
Qe dy javë është vërejtur një hezitim nga grupi i LDK-së për të kuptuar më vonë se gjatë qeverisjes së LDK gjatë viteve 2007- 2008 kjo tokë është ndarë nga Komuna për të ndërtuar selinë e Lidhjes Demokratike të LDK-së, si ndërtesë shumëkatëshe. Pra udhëheqja komunale e LDK-sëi ka dhënë tokë partisë LDK për të ndërtuar selinë.
Edhe pse nuk e kemi ditur për këtë vendim, komuna ka menduar se Ambasada është më e rëndësishme se sa subjekti politik në fjalë dhe ka vazhduar me kërkesën për mbledhje.
Sot, në mbledhjen e Kuvendit ka munguar grupi i asambleistëve të LDK-së. Këtij bojkotimi të Ambasadës ju ka bashkangjitur edhe grupi i Partisë Demokratike të Kosovës, me që rast mbledhja nuk është mbajtur.