- 01 Jun 2016
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorin, Komuna e Prishtinës për herë të tretë filloi aktivitetin “Prishtina lexon”, e që do të vazhdojë deri më datën 3 Qershor.
Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu e hapi zyrtarisht këtë aktivitet duke theksuar se çdo vit do të punohet më shumë që t’i rritet vlera kësaj ngjarje, sepse sipas tij leximi është një prej themeleve, fundamenteve të mësimit, të emancipimit të dijës dhe të gjithçka tjetër që i duhet një shoqërie, por edhe qytetit në veçanti.
“Sot fillon aktiviteti tradicional “Prishtina lexon” dhe unë besoj që është njëri prej aktiviteteve më të mira për leximin që kemi organizuar këto tri vitet e fundit. Si vjet përveç aktivitetit të zakonshëm që kemi e kemi leximin dhe në kërkim të përrallës më të mirë, i kemi edhe dy aktivitete tjera të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për të gjithë ne. Prej tyre është gara verore për lexuesin më të mirë dhe gjithashtu për novelën më të mirë grafike për strupin”, tha Sejdiu.
Më tutje ai potencoi se edhe mësuesit edhe arsimtarët dhe të gjitha ata që japin dijen duhet ta kenë, por edhe Komuna të punojnë edhe më shumë se veç me aktivitetin “Prishtina lexon”.
“Diku rreth 56% e fëmijëve prej moshës 1-5 vjeçare nuk e kanë asnjë libër në shtëpi. Pra, leximi si temë dhe libri si mjet i marrjes së dijës nuk është se e kemi të instaluar ende në të gjitha nivelet dhe poret e shoqërisë sonë. Aktivitetin ‘Prishtina lexon’ ne mundohemi ta bëjmë pjesë të përditshmërisë, dijës dhe pjesë të zakoneve për jetën, dijen dhe mësimin. Komuna e Prishtinës së bashku me partnerët e saj e organizon tash çdo vit këtë aktivitet, ku përveç fëmijëve, marrim pjesë edhe ne vetë si qeverisje komunale duke lexuar për fëmijët, por i ftoj të gjithë qytetarët, artistët dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij aktiviteti që të na bashkëngjiten këto ditë. Falënderoj të gjitha shkollat, mësimdhënësit, Komunën e Prishtinës dhe posaçërisht nxënësit e të gjitha shkollave të Prishtinës të cilët do të jenë këtu me ne dhe ditëve tjera dhe shpresoj të kalojmë disa ditë të mira me lexim, duke marrë dije dhe duke u zbavitë”, tha në fund Dardan Sejdiu.
Ndër të tjera, Sejdiu lexoi një libër të përzgjedhur për fëmijët në njërin prej këndeve të leximit.
Ky aktivitet filloi me një karnaval nga nxënësit e katër shkollave fillore të kryeqytetit, “Dardania”, “Ismail Qemaili”, “Hilmi Rakovica” dhe “Shkolla e gjelbër”. Të gjithë nxënësit e këtyre shkollave u bashkuan tek Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar ecjen drejt sheshit “Nëna Tereza”.
“Prishtina lexon” sivjet ka 6 kënde: Këndi i kuq, Këndi i kaltër, Këndi i gjelbër, Këndi i kuq, Këndi ngjyrë hiri dhe Këndi i kaltër.
Po ashtu teatri i kukullave “Dodona” do të organizojë shfaqje nga ora 17:00, me titullin “Libri shumë ngjyrësh”
Në kuadër të “Prishtina lexon” Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka hapur edhe konkursin për krijime.
Dita ndërkombëtare e fëmijëve 1 qershori gjithashtu sjellë edhe shumë befasi për fëmijët, gara dhe shpërblime për krijimet më të mira individuale, si : Gara për përrallen më të mirë për Prishtinën, Gara verore për lexuesin më të mirë dhe Gara për novelën më të mirë grafike (strip).