- 08 Jun 2016
Sot u mbajt mbledhja e IV e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Fillimisht u miratua rendi i ditës i propozuar dhe ekstraktet e procesverbaleve të mbledhjes së dytë dhe mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Më pas filloi shqyrtimi I raportit përfundimtar buxhetor për vitin 2015 dhe raportit të punës. Pasi asambleistët i dhanë vërejtjet për raportin e punës, fjalën e mori kryetari Shpend Ahmeti dhe sqaroi se ky nuk është raport financiar dhe nuk eshte obligim.ligjor për raportim. Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Sami Hamiti, ka thënë se me tre muaj vonesë këshilltarët komunalë po e trajtojnë raportin buxhetor, i cili sipas tij, është i mangët dhe ka shumë papërputhshmëri dhe nuk pasqyrohet drejt. “Është shkruar shumë dobët ekonomikisht. Nuk ka përputhje të përqindjeve. Janë rritur shpenzimet e luksit, të cilat nuk lidhen me investime kapitale. Ky është raporti më i keq i cili ka ardhur ndonjëherë në këtë Kuvend”, ka thënë Hamiti. Muhamet Selmani nga PDK-ja, ka thënë se ky është njëri nga raportet me të hyrat më to vogla gjatë viteve të fundit dhe me realizim të vogël. Në rend dite për mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës ishin edhe propozimvendimi për bartjen e buxhetit të pashpenzuar nga viti paraprak në vitin 2016, raporti tremujor janar-mars 2016 dhe shqyrtimi I raportit vjetor të Kuvendit Komunal për vitin 2016.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Hysen Durmishi e mori fjalën dhe sqaroi se këtu kryesisht po bëhet bartja e mjeteve nga viti i kaluar, pra jane kontrata ekzistuese nga viti 2015. Në këtë mbledhje është miratuar edhe propozimi i asamblistit të PDK-së Lirak Çelaj që 85 mijë euro t’i barten ndërmarrjes “Sportmarketingu” që merret me menaxhimin e pishinës së Gërmisë dhe “Shtëpisë së Gurit” në Brezovicë. Lidhur me këtë raport ka pasur vërejtje nga asamblisti i LDK-së Agim Gashi sipas të cilit ky raport për buxhetin do të duhej të ishte më i detajuar. Ndërkaq, me 15 vota për, 14 kundër, dhe 2 abstenime, është aprovuar edhe raporti tremujor buxhetor janar-mars 2016. Më pas, me 24 vota për, 2 kundër dhe 5 abstenime është miratuar edhe plani vjetor i punës së Kuvendit Komunal për vitin 2016.