Shkolla "Sami Frashëri" shënon diplomimin e gjeneratës 2013-2016

- 09 Jun 2016

Me rastin  e diplomimit të gjeneratës 2013/16  të gjimnazit natyror “Sami Frashëri” në Prishtinë, dje me datë 8 qershor 2016 në amfiteatrin e Gërmisë, Drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizuan për herë të parë ceremoni festive.

Nxënësit e kësaj shkolle kanë përgatitur një program të pasur artistik, ku ndër të tjera shfaqën edhe një mini film me momentet më të bukura të tyre përgjatë këtyre tri viteve.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe i pari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili në një fjalë rasti i përgëzoi nxënësit për iniciativën si dhe  ju uroi suksese të mëtutjeshme. Po ashtu, ai ndau mirënjohje për nxënësit më të dalluar.

Drejtoresha Komunale e Arsimit, Arbërie Nagavci  në një fjalë rasti theksoi se është shumë kënaqësi dhe privilegj të jesh  pjesë e këtij organizimi, organizim ky për herë të parë në Komunën e Prishtinës në nivelin e arsimit  parauniversitar të sektorit publik.

"Ne si  Drejtori e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi marrë iniciativën  që diplomimi i maturantëve të komunës së Prishtinës, të shoqërohet me një ceremoni festive. Fillojmë me Gjimnazin “Sami Frashërin”, për të vazhduar me  të gjitha shkollat mesme të larta të Prishtinës. Synojmë që këtë ceremoni madhështore  ta bëjmë traditë për cdo vit."

Ceremonia u përmbyll me hudhjen e kapelave!