Nënkryetari Sejdiu merr pjesë në tryezën “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër”

- 09 Jun 2016

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, sot mori pjesë në tryezën “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër” , të organizuar nga instituti Riinvest.

Sejdiu u fokusua në punën që është bërë në Komunën e Prishtinës nga viti 2014. Në fjalën e tij hyrëse, Dardan Sejdiu deklaroi se që nga viti 2014, Komuna e Prishtinës u fokusua në rregullimin e tregut të ndërtimeve, duke ndaluar ndërtimet pa leje, dhe në të njëjtën kohë duke lëshuar numër rekord lejesh ndërtimi. Sipas tij, Agjensioni Austriak për Ndërtim është i gatshëm të implementojë një plan subvencionesh në vlerë 3.5 milionë euro, ngjashëm me modelin e Therandës. Nënkryetari Sejdiu përmendi bujqësinë si një sektor me potencial të jashtëzakonshëm për Komunën e Prishtinës. Në fund, ai theksoi rëndësinë e konferencave dhe raporteve të tilla, dhe mundësinë për bashkëpunim ndërkomunal, duke përmendur raportet politike si pengesë për bashkëpunim.

Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur, ku pjesëmarrës të tjerë në tryezë ishin zyrtarë të lartë të komunave të rajonit Qendër, komuna e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit, Lipjanit, Graçanicës dhe Shtimës, si dhe pjesëtarë të organizatave dhe bizneseve të ndryshme në Kosovë.