Përfaqësues të komunitetit shqiptaro–amerikan vizitë e aktivitete në Prishtinë

- 21 Nov 2014

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti priti sot në takim përfaqësues të komunitetit shqiptaro – amerikan, të cilët kanë treguar sukses në sfera të ndryshme.

“Është interesante se kudo që shkon në SHBA, takon shqiptarë të suksesshëm. Gjatë vitit të kaluar pata rastin të vizitojë disa vende dhe pothuajse në çdo qytet që vizituam kishte një komunitet shqiptar të organizuar shumë mirë dhe sipas shtetit, ishin edhe fushat e suksesit.

Për shembull, në Texas vërehej suksesi i shqiptarëve në ndërmarrësi, biznesin e restoranteve, ndërsa në New York City mund të takosh shqiptarë të suksesshëm në fusha të ndryshme, në financa, arkitekturë, mjekësi. Pra, ngado që shkojmë, mburremi me shqiptarët që na përfaqësojnë denjësisht”, tha Kryetari Ahmeti, i cili i falënderoi ata dhe tha se ndjen kënaqësi për vizitën në Komunën e Prishtinës.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili tha se qëllimi i vizitës së këtyre personaliteteve të dëshmuara në profesionin e tyre ishte që të paraqesin shembujt, sidomos tek rinia, të cilët do të merrnin shembull se si do mund të jenë të suksesshëm në jetë, duke i takuar njerëzit që zgjedhin t’i kenë model e që do t’iu shërbenin si nxitje për të realizuar qëllimet e tyre në jetë.

Ky grup do të ketë një vizitë dy ditore në Prishtinë ku do të shoqërohet nga drejtuesit e Komunës në një vizitë prezantuese për Prishtinën dhe Kosovën.