- 15 Jun 2016
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu dhe Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, vizituan sot kampin veror të Robotikës, i cili sivjet po mbahet në shtëpizat e Gërmisë, e të cilat i ka ofruar Komuna enkas për këtë projekt.
Në këtë projekt po marrin pjesë nxënës të shkollave të cilët gjatë 4 ditëve do të inkurajohen të përdorin krijimtarinë dhe imagjinatën në lëminë e robotikës.
Gjatë vizitës, Nënkryetari, Dardan Sejdiu tha se Komuna është munduar që këtë radhë t'ua ofrojë nxënësve një ambient në natyrë, jashtë shkollës, ku mund të kombinohet loja, mësimi dhe krijimtaria. Ai tha se puna e nxënësve gjithmonë është motivim edhe më i madh për Komunën që të punojë për kushte më të mira për ta.
Ndërkaq, Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, shprehi kënqësinë që fëmijë nga të gjitha shkollat e Kosovës po kalojnë kohë së bashku, dhe në shoqërim dhe lojë po mësojnë e punojnë. Ajo u zotua se Drejtoria e Arsimit do të përkrahë këtë projekt dhe projekte të ngjashme që stimulon krijimtarinë e nxënësve.