- 22 Nov 2014
Menjëherë pas fillimit të aksionit për largimin e mbeturinave inerte në "Fushën Pajtimi", Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla ka vazhduar me planin për inspektimin dhe shqiptimin e gjobave ndaj ndotësve të mjedisit. Gjatë inspektimit, u has në një kamionetë që për qëllim kishte hedhjen e mbeturinave, ndërsa, sipas mbishkrimeve, dyshohej se është e nënkontraktuar nga një kompani që është përfituese në tenderët që paguhen nga taksapaguesit.
Të njëjtës nga autoritetet komunale iu shqiptua dënimi ndërsa Drejtori Sveçla tha se Komuna e Prishtinës është në procesin e dizajnimin e sistemit për mbrojtje, pastrim dhe ndëshkim.
“Pra, do të parandalojmë hedhjen e mbeturinave dhe natyrisht në rastet ku në gjejmë shkelës të ligjit që hedhin mbeturina dhe e ndotin ambientin, do t’i dënojmë ata dhe të gjitha këto dënime do t’i fusim në fondin për pastrimin e Prishtinës. Çdo shkelës i ligjit, i cili do të ndotë ambientin, do të gjobitet nga 50 euro deri ne 50.000 euro, varësisht nga sasia dhe lloji i mbetjeve”, tha Sveçla.
Ai gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë sa më bashkëpunues në mbrojtjen e mjedisit.
“Tashmë kemi thirrje të vazhdueshme nga qytetarët që raportojnë për raste të ndryshme të shkeljes së ligjit, mirëpo i lusim të gjithë banorët e Prishtinës që të na kontaktojnë drejtpërdrejtë në numrat 038 245 666, 038 245 777 dhe të na lajmërojnë për raste të këtilla”, tha Sveçla.
Aktualisht, në Komunën e Prishtinës është duke u bërë ristrukturimi i Drejtorisë së Inspektoriatit të Komunës së Prishtinës me qëllim të rritjes së efektivitetit.