- 11 Jul 2016
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, më datë 08 Korrik 2016, ka realizuar takimin e rradhës me drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore të nivelit të arsimit parauniversitar, lidhur me përfundimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2015/16 dhe përgatitjet për vitin vijues.
Në këtë takim u prezantua informata e suksesit të gjysmëvjetorit të dytë, raporti mbi garat e ndryshme të organizuara gjatë vitit shkollor 2015/16, rezultatet e arritura në vlerësimet e jashtme: Testin e Arritshmërisë dhe të Maturës Shtetërore si dhe planifikimi dhe regjistrimi i nxënësve për vitin shkollor 2016/17.
Drejtoria e Arsimit, pas vlerësimit dhe analizës së përgjithshme të realizuar mbi rezultatet e arritura të nxënësve në tri nivelet e arsimit parauniversitar gjatë gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2015/16, si dhe zhvillimeve të përgjithshme të ecurisë së procesit edukativo-arsimor konstaton, se në këtë gjysmëvjetor ka ngritje të kënaqshme të rezultateve dhe suksesit të nxënësve në Komunën e Prishtinës, në raport me suksesin dhe rezultatet e vitit paraprak.
Po ashtu, ngritje të theksuar të rezultateve është shënuar edhe në testet e vlerësimit të jashtëm, në raport me vitin paraprak.
Është indikativ fakti, ky trend dhe zhvillim pozitiv që kanë reflektuar në përmirësimin e rezultateve të nxënësve në tri nivelet e arsimit parauniversitar, është si rezultat i masave dhe veprimeve konkrete të ndërmarrë nga Drejtoria e Arsimit në ngritjen e cilësisë në arsim në shumë dimensione si: respektimi i ligjeve dhe Udhëzimit Administrativ mbi numrin maksimal të nxënësve në paralele, respektimin e kushteve dhe kritereve të regjistrimit të nxënësve, mbikëqyrje-kontrollë dhe këshillim i vazhdueshëm nga zyrtarët e arsimit, puna e drejtuesve të institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe faktorëve tjerë relevant, si dhe përmirësimi i infrastrukturës shkollore, duke pajisur shkollat me kabinete, laboratorë, biblioteka dhe punëtori të ndryshme.