- 15 Jul 2016
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu sot vizitoi kampin "Robo", i cili po mbahet në Qendrën Rekreative në Gërmi. Ky kamp është organizuar nga OJQ "Toka", Akademia JCoders, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës dhe të Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe po marrin pjesë fëmijë nga 12 deri në 15 vjeç. Qëllimi i këtij kampi është ofrimi i përvojave edukative rreth natyrës dhe temave të tjera, në një mjedis stimulues për pjesëmarrësit, si dhe për t’i motivuar ata që të angazhohen në punë vullnetare, në shërbim të komunitetit.
Me këtë rast, Nënkryetari Sejdiu tha se sot, si edhe shumë ditë të tjera këtë vere, Gërmia është plot me energji edhe gjallëri nga pjesëmarrësit e kampeve verore, që po realizohen në Qendrën Rekreative Rinore.
"Investimet të cilat i kemi bërë po japin fryt në këtë vend, i cili deri vjet qëndronte i thatë që nga perfundimi i luftës. Këtë javë, të rinjtë e Kosovës po mësojnë për ruajtjen e ambientit, Gërminë dhe Teknologjine Informative, ne nje program te realizuar nga OJQ TOKA dhe Akademia JCoders. Si rezultat i investimeve, Qendra ka arritur standard ndërkombëtar, dhe këtë gusht do të jetë nikoqir i të rinjve edhe edukatorëve nga Evropa, Kanada edhe SHBA-të. Ne do të vazhdojmë të punojmë që programet inovative rinore të jenë pjesë e jetës për çdo të ri në Kosovë" tha në fund Sejdiu.