Nënshkruhet Marrëveshja në mes “Trafikut Urban” dhe “Iveco” për autobusët urbane në Komunën Prishtinës

- 07 Sep 2016

Sot, në ambientet e Komunës së Prishtinës, u nënshkrua marrëveshja për furnizim me autobusë në mes ndërmarrjes “Trafiku Urban” dhe kompanisë çeke “Iveco”, si fituese e tenderit për furnizimin me autobusë urbanë në Prishtinë.

Në një fjalë rasti, Kryetari I Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se pas një procesi të stërzgjatur përfundimisht po finalizohet projekti i reformimit të transportit publik në Prishtinë. Ai e uroi kompaninë “Iveco” për fitimin e tenderit, për të cilin tha se në cdo hap është bërë me rregulla dhe aprovim të BERZH-it.

“Qëllimi është që në vend të 50 makinave me 50 shoferë, ta kemi një autobus urban në qytet, me çka zvogëlohet ndotja e ajrit, trafiku në përgjithësi dhe fitojmë një
 transport publik modern
” tha Ahmeti.  Ai e potencoi se është hera e parë që një institucion si BERZH-i jep kredi për projekte lokale, me kushte shumë të volitshme, e përveç kredisë projekti parasheh edhe 700 mijë euro grant
, për reformimin e trafikut urban, planin e mobilitetit etj.

Në fund Shpend Ahmeti tha se autobusët do të jenë të standardit Euro 6 dhe se pas këtij nënshkrimi të kontratës, Kompania "Iveco" do të sjellë autobusët e parë në dy afate: 30 autobusët e parë do të arrijnë brenda 90 ditësh, kurse 21 autobusët e tjerë brenda 120 ditësh.

Edhe përfaqësuesit e "Trafikut Urban", Halil Mustafa dhe ai i kompanisë "Iveco", Jiri Skerik, u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e kontratës me shpresë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.