Gara të nxënësve në lëmi të ndryshme

- 13 Feb 2019

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në bashkëpunim me Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport i Republikës së Kosovës z.Rexhep Hoti, mbajtën sot takim me udhëheqësit e Institucioneve Edukativo-Arsimore të Komunës së Prishtinës. Qëllimi i këtij takimi ishte shpalosja e Programit Nacional për Rininë. Ky program është i hartuar duke mbështetur në dy parime themelore: Gjithëpërfshirjen dhe Vijueshmërinë.

Programi nacional për Rininë do të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës në tri nivele: niveli Shkollor, Komunal dhe Republikan i garave në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport.

Në garë do të përfshihen rreth 340 mijë nxënës dhe do të ndahen mbi 30 mijë shpërblime për nxënësit fitues të vendeve të para. Po ashtu, shpërblime do të ketë për mësimdhënësit më të mirë dhe për shkollën më të mirë. Çmimi për shkollën më të mirë do të jetë 10 mijë euro.

Gara në dituri do të zhvillohet nëpërmjet testeve në të gjitha lëndët e arsimit parauniversitar, niveli fillor, mesëm i ulët dhe mesëm i lartë.

Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik do t’u mundësojë nxënësve t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit nëpërmjet krijimeve kreative.

Gara në sport do të zhvillohet në formë të kampionateve shkollore në katër disiplina: futboll, volejboll, shah dhe atletikë.

Këto gara do të fillojnë nga 19 shkurti 2019 dhe do të mbarojnë me shpalljen e fituesve në garën e diturisë në nivelin shkollor me 30 prill 2019.