- 02 Dec 2014
Në vazhdën e bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kohë më parë, Kryetari Shpend Ahmeti në një takim me bordin e drejtorëve të BERZH- it nga të gjitha rajonet pati shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e transportit, por edhe në fushat e tjera, siç është menaxhimi i mbeturinave inerte dhe i energjisë efiçente. Asokohe, përfaqësuesit e BERZH u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Prishtinës, ndërsa thanë se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre në projektet që do të realizohen në të ardhmen.
Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga nënkryetari z. Dardan Sejdiu, Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, z. Hysen Durmishi dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, z. Ardian Gashi, u takuan sot me udhëheqësin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Prishtinë, z. Anton Kobakov, i cili ishte i shoqëruar nga z. Josip Polic, bankier i lartë, znj. Laura Pedrejeon, bankiere dhe z. Arianit Blakaj, bankier.
Në këtë takim u bisedua për pesë fusha të ndryshme në të cilat është duke u synuar bashkëpunimi midis Komunës së Prishtinës dhe BERZ-it, siç janë transporti publik, rehabilitimi i rrjetit rrugor, efiçienca e energjisë, infrastruktura e ujërave të zeza dhe trajtimi i tyre në të ardhmen, si dhe mbeturinat inerte.
Kryetari Ahmeti e mirëpriti këtë gatishmëri të BERZH-it për Komunën e Prishtinës, ndërsa u dakorduan që gjatë javëve në vijim të përgatitet një memorandum i mirëkuptimit, i cili do të jetë udhëzues se në cilat fusha do të bashkëpunojnë Komuna e Prishtinës dhe BERZH.
Me këtë memorandum planifikohet edhe përfshirja e konsulentëve që do të analizojnë opsionet që janë në dispozicion lidhur me Komunën e Prishtinës.
Në momentin kur Komuna do të përcaktohet për cilindo opsion, për çfarëdo lloj investimi, atëherë do të diskutohet për modalitetet konkrete të bashkëpunimit ku nënkuptohet vlera dhe mënyra e financimit.