- 07 Dec 2014
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare V, në lagjen Dardania, për të parë nga afër rinovimet që janë duke u bërë në objektin e kësaj qendre. Me këtë rast, Vitia tha se planifikohet që të rinovohen pesë qendra të mjekësisë familjare.
“Këto qendra janë ndërtuar shumë më herët dhe për një kohë të gjatë nuk ka pasur renovime. Aktualisht kemi filluar renovimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në qendër të Prishtinës, në Qendrën e Mjekësisë Familjare V (QMF), në lagjen Dardania. Së shpejti renovimet pritet të fillojë në QMF I, në Tophane, QMF VI që ndodhet në Bregun e Diellit dhe në Poliklinikën Stomatologjike. Sipas informatave që kemi shpresojmë se i tërë procesi i renovimit mos të zgjasë më shumë se tre muaj”, tha drejtori Vitia.
Sipas tij, pavarësisht renovimeve, janë ndërmarrë të gjitha masat që mos të mbyllen në asnjë vend ordinancat dhe asnjë shërbim mos t’iu mungojë qytetarëve në Komunën e Prishtinës.
“Kjo është nga qendrat e vjetra që është ndërtuar më herët. Do të rinovohet çdo pjesë e kësaj qendre. Kemi filluar me pjesën ku ndodhet mjekësia familjare për arsye se ky është një nga shërbimet më të nevojshme për qytetarët e kryeqytetit, e sidomos për ata të lagjes Dardania dhe Ulpiana që i marrin shërbimet në këtë qendër. Më pas do të fillohet me katin e sipërm, me pediatrinë dhe çdo pjesë tjetër të cilën punëtorët këtu me menaxhmentin e QKMF – së e kanë parë të nevojshme se duhet të rinovohet”, tha Vitia.
Këto renovime në qendrat familjare bëhen me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore që ofrohen, si dhe ofrimin e kushteve më të mira për punonjësit e shëndetësisë.
Drejtori Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Avdullah Hoti tha se është shumë i kënaqur me vendimin e Komunës së Prishtinës për renovimin e qendrave të mjekësisë familjare.
“Në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i koordinojmë punët dhe ajo që është në kompetencat tona për dislokimin e punëtorëve aty ku kryhen punimet e bëjmë në të gjitha qendrat në Prishtinë. Në emër të menaxhmentit të QKMF – së kërkojë mirëkuptim nga qytetarët për disa pengesa në shërbimet për qytetarë derisa të përfundojnë punimet, mirëpo kjo që është duke u bërë tani është sidomos në interesin e tyre”, tha me këtë rast Hoti.