- 12 Dec 2014
Në vazhdën e diskutimeve publike kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu dhe Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, mbajtën takim me banorët e lagjes “Velania”.
Kryetari Ahmeti i njoftoi të pranishmit se qëllimi i këtyre diskutimeve është që banorët e lagjeve të ndryshme të kenë mundësi të adresojnë kërkesat e tyre.
“Për lagjen Velania jemi në dijeni për shumicën e problemeve. Një prej problemeve më të mëdha është hapja e rrugëve nga ujësjellësi r
ajonal “KUR Prishtina”, derisa ujësjellësi i ka kontraktuar 3 kompani për ndërrimin e gypave në tërë Prishtinën. Bëhet fjalë për ndërrimin e gypave për shtëpitë dhe banesat të cilat janë të lidhura me liqenin e Badovcit. Dhe pas kësaj do të përmirësohet dukshëm furnizimi me ujë të pijshëm. Problemi është se nuk mund të mbyllen gypat derisa nuk testohet i tërë sistemi sepse në rastet kur mund të ketë ndonjë problem eventual, atëherë prapë duhet të intervenohet që të identifikohet problemi”, tha Ahmeti duke mirëkuptim nga të pranishmit. Megjithatë, ai u shpreh i shqetësuar pasi që tha se ka informata të besueshme se njëra nga kompanitë që ka qenë ë kontraktuar nga ujësjellësi nuk iu është përmbajtur kushteve kontraktuale dhe se është e pajustifikueshme pse ujësjellësi rajonal “KUR Prishtina” nuk i ka ndërmarrë masat ndëshkimore ndaj kësaj kompanie.
Disa prej shqetësimeve kryesore të banorëve të lagjes “Velania” ishte mungesa e planit rregullativ, gjë që i hap rrugë ndërtimeve pa leje. Banorët u shprehën se kanë dërguar edhe një peticion lidhur me këtë çështje. Ata u shprehën të pakënaqur edhe me punimet që janë kryer në të kaluarën lidhur me rregullimin e parkut në “Taukbahqe”, pasi që në këtë pjesë ka probleme me shtegun e atletikës, kundërmimin e kanalizimit, etj. Ata njëkohësisht kërkuan që për shkaqe sigurie dhe me qëllim të parandalimit të fenomeneve negative, në këtë park në të ardhmen të ketë roje të sigurisë. Ankesa kryesore e banorëve të kësaj lagjeje ishte problemi me ujërat atmosferik, ngase sipas tyre, gjatë ditëve me të reshura, rrugët e kësaj lagjeje vërshohen nga uji dhe ju shkaktojnë shumë probleme.
Liburn Aliu u përgjigj në pyetjet për planifikimin urban, lejet e ndërtimit dhe procesin e legalizimit. Ai tha se duhet të rishikohet Plani Urbanistik Zhvillimor, ndërsa do të bëhet një Plan Zhvillimor Komunal i Prishtinës dhe Harta Zonale e qytetit ku do të parashihen të gjitha nevojat dhe kushtet urbanistike që duhet të plotësohen. Aliu i informoi të pranishmit edhe për rëndësinë e procesit të legalizimit dhe i ftoi që të regjistrojnë ndërtimet pa leje, në mënyrë që ato t’i nënshtrohen procesit të legalizimit në të ardhmen.
Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi tha se në përgjithësi kjo zonë e qytetit ka probleme me ujëra atmosferikë dhe ujëra fekal, andaj, siç u shpreh ai, trajtimi i këtyre probleme është një prej prioriteteve të Drejtorisë së Infrastrukturës.
“Ne kemi filluar një projekt të madh për të Komunën se si t’i zgjidhim të gjitha këto probleme pasi që janë të shumta. Së pari, rrjeti është tepër i vjetër në një pjesë të madhe të qytetit. Probleme me kanalizimin kemi edhe në sheshin qendror të qytetit ku në të kaluarën janë bërë investime me miliona por shkel e shko dhe pa asnjë plan. Pra, ka munguar plotësisht planifikimi i mirëfilltë se si do të zgjidhen këto probleme. Për projekte të tilla mund të gjenden lehtë edhe donacione nga qeveritë dhe organizatat të ndryshme, ngase nuk do të mjaftonte vetëm buxheti i Komunës. Aktualisht komuna e Prishtinës është duke e realizuar një projekt në bashkëfinancim me qeverinë çeke lidhur me kanalizimin e tre fshatrave, Busi-Mramor-Sutjeskë, ku Komuna e Prishtinës e realizon kanalizimin, ndërsa Qeveria e Çekisë e ndërton impiantin. Pas përfundimit të këtij projekti, ujërat e zeza më nuk do të derdhen në liqenin e Badovcit, por do të trajtohen përmes impiantit. Gjithashtu kemi aplikuar edhe për një projekt që synojmë ta realizojmë me Qeverinë e Zvicrës dhe presim përgjigjen e tyre.
Durmishi tha se sa i përket lagjes Velani, Taukbahqe dhe Taslixhe, në pjesën e parë të vitit të ardhshëm Komuna e Prishtinës do ta bëjë projektin e detajuar se si të trajtohen ujërat atmosferik dhe ata fekale, në mënyrë që më pas të fillojë edhe realizimi i tij.