- 05 Sep 2019
Drejtoresha e Arsimit Shpresa Shala në konferencë për media foli për vendimin e Komunës së Prishtinës për dislokimin e përkohshëm të nxënësve nga objekti i gjimnazit “Ahmet Gashi”.
Në muajin gusht, Komuna ka marrë vendim që nxënësit e klasave X, të zhvendosen në shkollën fillore “Emin Duraku”, ndërsa ata të klasëve XI dhe XII, të shkojnë në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Ky vendim është marrë mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e seizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës.
Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën Shpresa Shala kanë takuar edhe përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e gjimnazit ”Ahmet Gashi”, për të sqaruar situatën e krijuar. Në takim u dakorduan se do të bëhet rivlerësimi i stabilitetit të objektit, I cili do të ndihmojë të vendoset nëse objekti ka nevojë për renovim të terësishëm apo rindertim nga e para.
Përfundimisht, zhvendosja e nxënësve bëhet menjëherë.
Nuk bëjmë kompromise për sigurinë e jetës së fëmijëve tanë!