- 13 Dec 2014
Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit, ka vazhduar aktivitetin për edukimin shëndetësor për nxënësit e shkollave të mesme në komunën e Prishtinës në lidhje me HIV-AIDS.
Sot ky aktivitet u zhvillua në shkollën e mesme “28 Nëntori” në kryeqytet ku përveç njohurive të përgjithshme për këtë sëmundje u fol mjaft edhe për fenomenet që lidhen me këtë sëmundje dhe masat parandaluese.
Përkrah ligjëratës dhe sqarimeve nga mjekët pjesëmarrës, pati edhe shumë pyetje nga nxënësit dhe në fund u konstatua se aktivitete të tilla janë shumë të nevojshme për ta dhe do të vazhdojnë të mbahen edhe në të ardhmen.
“HIV AIDS është një sëmundje që nuk njeh as moshë as gjini. Si çdo sëmundje tjetër, lufta fillon duke e njohur këtë sëmundje, duke u informuar lidhur me këtë sëmundje se si ta parandalojmë, si të kujdesemi duke filluar nga të gjitha masat mbrojtëse dhe fenomenet që ndërlidhen me HIV AIDS”, tha, ndër të tjera, në ligjëratën drejtori Vitia.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia tha se në të ardhmen do të realizohen edhe projekte të tjera vetëdijësuese lidhur me parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.