U nënshkrua me Komisionin Evropian granti në vlerë prej 400 mijë euro për krijimin e tregut të prodhimeve vendore

- 16 Dec 2014

​Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot ka nënshkruar me Komisionin Evropian grantin në vlerë prej 400 mijë euro për krijimin e tregut të prodhimeve vendore. Vlera totale e këtij projekti është 500 mijë euro.

Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe koordinimin midis bujqve dhe përpunuesve në mënyrë që të sigurohet shitja më e shpejtë e produkteve vendore. Lidhur me këtë qëllim për herë të parë në Kosovë do të krijohet mundësia që në çdo lagje të madhe të Prishtinës të jetë tregu lëvizës me prodhimet
​​vendore. Fermerët e regjionit të Prishtinës do të kenë mundësinë të promovojnë dhe shesin prodhimet e tyre drejtpërdrejtë tek qytetarët, gjë që do të fuqizojë prodhuesit vendorë dhe do të krijojë vende të reja të punës.

​​Në bashkëpunim me Gratë në Biznes dhe CEED, nga viti i ardhshëm Komuna e Prishtinës do të ketë tri (3) tregje mobile të prodhimeve vendore që do të lëvizin në lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës në kuadër të përmbushjes së zotimeve për zhvillimin e bujqësisë, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nis me zbatimin e politikave të reja zhvillimore, ndërsa theks të veçantë do t’i kushtohet sektorit të bujqësisë.

​​Në vitin 2015, në sektorin për bujqësi do të investohen 1 milion e 30 mijë euro, ose 250 mijë më shumë se në këtë vit. Në vitin 2016, dallimi buxhetor me vitin 2014 (buxhet i trashëguar nga qeverisja e kaluar prej 870 mijë eurosh), do të jetë 1 milionë euro. Kjo përkrahje do të reflektojë edhe në vitin 2017 për sektorin e bujqësisë ku planifikohen të ndahen rreth 2 milionë euro në kuadër të prioriteteve të Komunës.